Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Pite me djathë, kos e vezë dhe pulë me patate e speca

19 Mars 2020, 12:25| Përditesimi: 19 Mars 2020, 15:25

  • Share

Pite me djathë, kos dhe vezë

Përbërësit:

1 pako peta

400 gr djathë i bardhë

1 gotë kos

1 gotë ujë i gazuar

1 filxhan çaji vaj

Kripë

4 vezë

1 vezë për lyerjen e pites

Përgatitja:

Fillimisht përgatisim mbushjen. Në një tas vendosim djathin të thërrmuar mirë, shtojmë kosin, ujin e gazuar, katër vezët, kripë dhe piper të zi, vajin dhe i përziejmë mirë të gjithë përbërësit derisa të formohet një masë e lëngshme.

Lyejmë me vaj një tavë të thellë. Vendosim 4-5 peta poshtë dhe i mbledhim duke i rrudhur, i lagim mirë me mbushjen e përgatitur. Kështu vazhdojmë me të gjitha petët duke i mbledhur dhe lagur me mbushjen e përgatitur derisa të mbushet tepsia.

Ruajmë dy peta për ti vendosur në fund për mbulesë. E presim piten në racione katrore. Rrahim një vezë dhe e lyejmë sipërfaqen e pites me të. E vendosim tepsinë në furrë, në temperaturë 200 gradë Celsius, për 30-35 minuta.

Pulë me patate dhe speca

Përbërësit:

600 gr mish pule me kocka

1 qepë e vogël

2 thelpi hudhra

2 speca të kuq

1 lugë gjelle salcë domate

1 lugë çaji piper i kuq

Spec pikant (nëse dëshironi)

600 gr patate

Kripë dhe piper i zi

1 lugë gjelle erëza të thata

2 lugë gjelle majdanoz i grirë

1 gjethe dafinë

Përgatitja:

Në një tigan të thellë ngrohim vajin dhe skuqim lehtë copat e pulës duke i zverdhur pak ato. Largojmë copat e pulës dhe në të njëjtën yndyrë kaurdisim qepën sa të zverdhet pak, më pas shtojmë hudhrën, specat e prerë në shirita dhe i kaurdisim për pak.

Më pas shtojmë edhe 1 lugë gjelle salcë domate, piper të kuq (spec ose piper pikant nëse dëshironi). I trazojmë së bashku duke shtuar patatet të prera në kubikë, sipas dëshirës suaj.

Shtojmë edhe copat e mishit, kripë dhe piper të zi, erëzat e thata, majdanozin e grirë imët si dhe një gjethe dafinë.

Shtojmë ujë deri në nivelin e patateve dhe e mbulojmë tiganin me kapak. E lëmë të ziejë për 35-40 minuta dhe e servirim të ngrohtë.

 

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?