Të dhënat e INSTAT, viti 2022 pozitiv, rritje e pagës dhe ulje e nivelit të papunësisë! Zhvlerësohen nga inflacioni në rritje

10 Qershor 2022, 19:34| Përditesimi: 10 Qershor 2022, 19:45

  • Share

Viti 2022 ka nisur me rritje të pagës mesatare në vend, dhe me ulje të papunësisë. Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e parë të vitit paga mesatare u rrit me 5.8% dhe arriti në 59.242 lekë, ndërsa papunësia zbriti në nivelin 11.3%.

Viti 2022 ka nisur pozitivisht për punësimin, dhe për pagat e punonjësve. INSTAT raporton se në tremujorin e parë të vitit paga mesatare mujore bruto për një të punësuar ishte 59.242 lekë, duke u rritur me 5,8 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Ndërsa në raport me tremujorin e fundit të vitit 2021, paga mesatare ka rënë lehtë me 0.5%. Rënia e pagave në tremujorin e parë në sektorin e forcave të armatosura, tek shitjet e shërbimet, nëpunësit, teknikët dhe specialistët  me arsim të lartë në raport me fundin e vitit të kaluar, kanë rënë për shkak se në pagën e tremujorit të fundit të vitit janë llogaritur edhe shpërblimet e fundvitit dhe shtesat e tjera, që në tremujorin e parë të 2022 nuk janë.

Më të paguarit vijojnë të jenë të punësuarit në sektorin e aktivitetit financiar dhe të sigurimit, pasi pagat që marrin janë 93 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa pagat në bujqësi janë më të ulëtat, pasi janë 35,1 % më pak se mesatarja e rrogave në shkallë vendi.

Në përmirësimin e pagave në tremujorin e parë ka dhënë ndikim edhe plani anti-informalitet që nisi në fillim të janarit, pasi u zbulua publikisht nën deklarimi i pagave pas daljes së databazave.

Por pavarësisht rritjes së pagave, përsëri ato zhvlerësohen nga inflacioni në rritje, i cili në tremujorin e parë ishte 4.4%, dhe që vijon të rritet ende pasi në maj rezultoi në vlerën 6.7%. kjo rritje e inflacioni tregon se qytetarët me të njëjtën pagë blejnë më pak.

Nga ana tjetër INSTAT raporton se në tremujorin e parë të vitit është ulur papunësia 11.3% nga 11.4% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm dhe 11.9% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?