Erdogan në mitingun përmbyllës

Turqia zgjedh nesër presidentin e ri, Erdogan mbyll fushatën me akuza ndaj rivalit: Opozita merr urdhra nga terroristët

13 Maj 2023, 20:41| Përditesimi: 13 Maj 2023, 20:43

  • Share

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka mbyllur sot fushatën elektorale me tri mitingje në Stamboll ku ka ripërsëritur akuzat ndaj opozitës dhe kandidatit të saj Kemal Kilicdaroglu për të cilin tha se merr urdhra nga terroristët.

“Kemal merr urdhra nga terroristët. Ne marrim urdhra nga Allahu dhe kombi ynë. Ky është ndryshimi midis nesh”, tha ai dhe theksoi se opozita po kërkon mbështetje nga partia kurde HDP, e cila është e lidhur me lëvizjen PKK-në, e cila është shpallur organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe disa shtete evropiane.

Duke iu referuar pretendimit të opozitës se Rusia qëndron pas publikimit të materialit të rremë për aktivitetet e Kemal Kilicdaroglu, Erdogan pyeti sesi është e mundur të vendosen sanksione ndaj Rusisë kur vetëm nga ky vend, Turqia siguron 5.5 milionë turistë çdo vit.

“Çfarë tha zëdhënësi i Kremlinit? Dmitris Peskov tha: ‘Kilicdaroglu gënjen, ai duhet të shpjegojë, ai duhet të provojë’. A ka ndonjë provë? Jo. Çfarë lloj politike është kjo? Populli im nuk do ta dorëzojë këtë vend tek ju. Kemali gjithashtu thotë se ne do të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Çfarë është ky mendim? Çfarë është ky mirëkuptim? Kemi 5.5 milionë turistë që vijnë nga Rusia. Çfarë do të bëni për këtë?”, pyeti presidenti aktual.

Kilicdaroglu shihet si rivali kryesor i Erdoganit dhe pritet që gara të jetë tepër e ngushtë mes të dyve. Përveç presidentit, turqit nesër në zgjedhjet parlamentare do të vendosin edhe për përfaqësuesit e rinj në parlament ku do të zgjidhen 600 deputetë.

Qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 16:00. Sipas mediave turke, rezultatet e para preliminare duhet të publikohen në orën 20:00.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?