Turqi, 1000 shqiptarë e turq bashkë
për festën e Pavarësisë

30 Nëntor 2013, 21:58| Përditesimi:

  • Share
ANKARA - Rreth 1000 shqiptarë dhe turq nga të katër anët e Turqisë janë mbledhur të festojnë 28 Nëntorin e 101-të të Pavarësisë së Shqipërisë prej ish-Perandorisë Otomane. Duhej vetëm një ftesë nga Ambasada shqiptare në Turqi, që gjithë shqiptarizmi që vlonte nëpër rrjete sociale të grumbullohej në Ankara nga Bursa, Stambolli, Izmiri e kudo ku ka shqiptarë në Turqi, vendi me komunitetin më të madh të shqiptarëve në botë, rreth 4 milionë vetë.

Kush me kostume tradicionale shqiptare, kush me flamuj shqiptarë nëpër duar si në një dasmë të madhe, ku turq e shqiptarë u bënë bashkë nisi festa në hollin luksoz të Swiss Hotel në Ankara  e tre brezave të emigracionit shqiptar në Turqi; pasardhësit e emigrantëve të Luftës së Parë Botërore, ata të pas Luftës së Dytë Botërore dhe ata të pas viteve 90-të. Por edhe dhjetëra deputetë të parlamentit turk, në të cilin 25 deputetë janë me origjinë shqiptare, të trupave diplomatike, akredituar në Turqi, si dhe ministri i Zhvillimit të qeverisë turke, Xhevdet Yllmaz.

turqi
(Në foto: Ministri turk i Zhvillimit,Yllmaz dhe ambasadori shqiptar në Turqi, Muçaj, duke prerë tortën e pavarësisë).

Pasi uroi shqiptarët për pavarësinë, duke prerë dhe tortën me flamur shqiptar, Yllmaz u shpreh se “Shqipëria ka një vend të veçantë në Turqi dhe zemrat e turqve. Siç tha dhe ambasadori juaj, edhe ai që ka shkruar himnin turk ishte një shqiptar”. Fjalë këto pak çaste pas ekzekutimit të himneve të të dy vendeve. Ministri turk duke iu referuar aktualitetit shtoi se "forcimi i marrëdhënieve Shqipëri-Turqi nuk ndikon vetëm mes dy vendeve, por në gjithë Ballkanin pozitivisht".

 “Nuk e kam fshehur kurrë që jam shqiptare. Tani me kryeministrin Erdogan jemi edhe më të stimuluar për ta deklaruar këtë”, thotë Gulay Dalyan, deputete e parlamentit turk me origjinë shqiptaro-turke, dhe pjesën shqiptare pikërisht nga Gostivari i Maqedonisë. Ajo përmend se në Turqi shqiptarët i njohin si njerëz të drejtë, që mbajnë fjalën. Për shqipen e saj vetëm me fjalë të thjeshta Gulan shprehet se do të ishte e lumtur, nëse gjuha shqipe do të mësohej në Turqi, edhe ajo do ta mësonte atë. ‘Ka një kurs të gjuhës shqipe në Bajram Pasha në Stamboll, por kjo nuk mjafton, është mangësia jonë dhe do të mundohemi ta rregullojmë”, shton Gulan, e cila ka qenë për festimet e 100-vjetorit në Shqipëri në Tiranë dhe Vlorë dhe shton se “në Shqipëri ka ende shumë gjëra për t’u bërë akoma”.

turqia
(Në foto: Shqiptarë e turq, duke kërcyer në festën e 28 Nëntorit, Ankara, Turqi).

“Duke parë përmasat që mori festa këtë vit dhe duke ndjerë se kjo festë është vetëm maja e ajsbergut në krahasim me dashurinë e shprehur në komunikimin e shqiptarëve në rrjete sociale, vitin tjetër këtë festë do ta organizojmë në një stadium. Atmosfera më ka frymëzuar dhe unë s’mund të ndalem dot më përveçse t’u përgjigjem nevojave të shqiptarëve . E plus në një vend mik ndihem me akoma më shumë entuziazëm”, u shpreh ambasadori  shqiptar në Turqi, Genc Muçaj, i cili shtoi se dashuria për shqiptarët ekziston edhe te turqit. “Në Turqi kur thua shqiptar pritesh gjithmonë shumë mirë”. Ambasadori Muçaj bëri të ditur se është bërë gati ngritja e tre qendrave kulturore shqiptare në Turqi, pikërisht në Ankara, Bursa, Izmir. "Jemi i vetmi vend në Turqi që s'ka një qendër kulture. Qendrat kulturore do të shërbejnë më pas dhe për mësimin e gjuhës shqipe", shtoi ambasadori.

turq

Gjatë ceremonisë, Ambasada shqiptare shpërndau 100 certifikata mirënjohjeje për shqiptarë, që kanë kontribuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Një nga cilat edhe për Namik Sabit. Erdhëm në Ankara nga Peja prej represionit të Serbisë, se këtu ishte Mustafa Qemali i mirë, na thoshte babgjyshi”, tregon Namiku lindur, rritur në Ankara, i cili në 1999 e më pas ka ndihmuar refugjatët kosovarë të pasluftës për strehimin e tyre në Turqi.

Ndërsa studentët shqiptarë të akademive ushtarake turke, të vajtur në këtë vend që 14 vjeç, teksa puthnin flamurin shqiptar premtuan se do të kthehen në Shqipëri, që ta ndryshojnë atdheun e tyre, ta bëjnë siç ka qenë, të vënë rregulla, të sjellin edhe disiplinën turke, pasi Shqipëria ka pasur luftëtarë të mirë, gjeneralë të mirë, liderë të mirë…

turqii
(Në foto: Studentë shqiptarë të akademive ushtarake në Turqi duke festuar 28 Nëntorin).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?