Port turistik varkash në Kroaci

Periferi

Turizmi? Perfekte Kroacia, Greqia...por Shqipëria mund të zërë një hapsirë plot shije në Ballkan

1 Korrik 2019, 14:05| Përditesimi: 2 Korrik 2019, 08:11

  • Share

Nuk kam pasur mundësi më parë të shkoja ndonjëherë në Greqi dhe as në Kroaci. Ky vit sikur më hapi dy dritare të reja në Ballkan për të parë e për t'u matur me fqinjët tanë. Pashka ishte magjike në Korfuz. Me tragetin nga Saranda çdo gjë ishte e shpejtë dhe e kollajtë. Thjeshtësisë dhe joperfeksionit të portit tonë të vogël i përgjigjej profesionalizmi i fqinjëve përballë. Korfuzi i bukur, i gjelbër, i pastër, me ndërtime plot stil e logjikë. Natyra në harmoni me ndërtimet të bënte të ndjeheshe mirë. Njerëz të qeshur e të sjellshëm, ishin çka që kërkon çdokush kur niset për një pushim.

Fundi i qershorit ishte një mundësi "e detyruar" për të parë Kroacinë. Me të kaluar Malin e Zi, Bosnjën, Kroacia të jep menjëherë përshtypjen e një vendi të krijuar e rregulluar në respekt të dinjitetin njerëzor dhe natyrës: Rrugë të gjera e natyrë e paprekur, parqe natyrore, turizëm, varka; vend i bukur për kafshët, peshqit dhe njerëzit. Në një plazh mes pishave në Kroaci, besoj se cilido nga nëpunësi më i thjeshtë, te gazetari, mjeku apo mësuesi, te studentët e pensionistët nuk ndjehen të zhvatur as nga çmimet e shezloneve, as nga shërbimet për parking e shplodhje. Kroacia, nga vendet që kam parë deri tani, më duket vendi më i barabartë në shërbime për të gjithë njerëzit. Një mrekulli.

Nëpër bregun e Malit të Zi kisha mbi 15 vite pa kaluar: Kotori, Budva, Ulqini... Atje kishte ndodhur ajo që shpresojmë e lutemi të mos ndodhë në Shqipëri: Ndërtime mbytëse dhe rrëmbimi i gjireve më të bukur duke ndërtuar rezorte superluksi për superpasanikë, porte me superjahte, të cilat stonojnë me çfarë ofron përreth vendi. Me një vështrim të lirë gjatë udhëtimit nga veriu në jug të bregdetit malazez dallon qartë varfërinë e investimeve në infrastrukturë, varfërinë e shërbimeve për njerëzit e thjeshtë, në krahasim me luksin e këtyre gjire-porteve me emra ekzotikë. Gjurmët e shijet ruse në Malin e Zi janë një goditje nuk e di se sa e riparueshme.

Si pozicionohet Shqipëria mes fqinjëve tanë me kaq shumë ekperiencë në turizëm? Mund të duket mungesë modestie, ose mendjemadhësi, por ne kemi vlera që mund të jenë të forcë  për të konkurruar me dinjitet:

1.Ushqimi i mirë dhe eksperienca italiane e shumë emigrantëve tanë

Në Greqi, Mal të Zi e Kroaci nuk hahet mirë. Në shumicën e restoranteve peshku është gjithnjë i ngrirë dhe i gatuar me salsa, vajra e mënyra që e bëjnë më shumë mish sesa peshk. Ose, nëse rastiset në peshk të freskët, çmimet janë të paafrueshme për njerëzit e thjeshtë. Makaronat janë më afër stilit amerikan të gatimit sesa atij të pakonkurrueshëm italian. Vera kërkon ushqime të lehta dhe të freskëta, ndërsa përshtypja, veç ndonjë sallate greke, djathi të bardhë, është e kundërta: çdo ushqim është i ngrirëdhe i rëndë për stinën.

Për fat të mirë në Shqipëri gjen pjata të gatuara gati njësoj si në Itali. Emigrantët tanë, marrëdhëniet e ngushta tonat me Italinë, kanë bërë që nga Velipoja në Ksamil, të gjenden restorante që mund të konkurrojnë pa frikë fqinjin e famshëm përballë. Një pjatë "linguine" me fruta deti në Sarandë, e gatuar nga një zonjë në një prej hoteleve të qytetit, mund të konkurrojnë me kuzhinierët më të mirë të Puljas përballë.

2.Nuk jemi kopracë

Në Kroacinë e bukur, për shembull, janë pak "dorëngushtë" me gjërat e mira, e ta mbushin pjatën plot me gjërat që nuk kushtojnë. Për shembull: Të kërkosh një peshk me perime në furrë të vjen vetëm gjysma e filetos, edhe pse çmimi është tepër i kripur. Edhe një pjatë midhje është një mikroporcion. Ose, dy aperol spritz, në të vërtetë është një, i ndarë përgjysëm i shoqëruar vetëm me një kokërr ulli. Por nëse porosit makarona apo oriz, apo mish importi, pjata të vjen plot e përplot. Po kështu edhe në Greqi: Sufllaqe e pastisada duken porcione për një elefant, por kur bëhet fjalë për peshk të mirë, ehe, rrudhen sa më s'ka. Nëse ne do të ruajmë zemërgjerësinë në porcione, turistët, ngado që të vijnë do të mbeten të kënaqur me këtë vlerën tonë, por edhe me çmimet që mbeten më të ulëta në rajon.

3. Bukuritë mund të preken nga të gjithë

Edhe nëse je student, mësues, apo emigrant, në Shqipëri mund të bësh plazh në gjiret më të bukura që ekzistojnë: Nga Grama në Karaburun, në Ksamil, në Jalë, Borsh, Drimadhe, Rana e hedhun në Velipojë, në Shalë, Valbonë, Osum a Divjakë. Duket si e tepërt e thënë kështu, por rezortet gjigande të luksit kanë marrë vendet më të bukura sidomos në Mal të Zi dhe për qytetarët e thjeshtë kanë lënë të lirë pakgjë. Barazia e prekjes njësoj e bukurive të Shqipërisë është një e drejtë që duhet ruajtur, por edhe një detyrim për ne për t'i mirëmbajtur e për t'i bërë një krenari kombëtare.

4. Buzëqeshja, forca e jonë

Nuk them se janë të ngrysur bashkëballkanasit e tjerë, por buzëqeshjet e sinqerta të "katunarëve" tanë, mund të jenë çarmatosëse për vendas e të huaj që vijnë e duan të pushojnë. Mikpritja, sidomos ndaj të huajve, është një vlerë që duhet shumëfishuar, një "sëmundje" ngjitëse që duhet të infektojë këdo që shërben nga veriu në jug dhe kjo mund të na shpëtojë nga shumë imperfeksione prej të cilave Shqipëria ende rënkon.

5. E kaluara më e vuajtur, mund të na ndihmojë

Ndër vendet e Ballkanit që ishin në bllokun Lindor e dimë, Shqipëria ishte më e izoluara dhe më e vuajtura nën diktaturë. Ish-Jugosllavia e Titos ishte ndryshe  dhe veç disa ndërtesave të asaj periudhe, pak ka mbetur shumë për të parë poshtë e lart, ose është transformuar sipas rregullave të kapitalizmit sot. Nëse të gjithë së bashku e kuptojmë mirë këtë vlerë të shtuar dhe ruajmë e mirëmbajmë si copëza të kësaj të kaluarës sonë, si objekte, muzeume, fotografi; i pastrojmë, ekspozojmë, i tregojmë, kemi diç të veçantë jo vetëm për turistë të një bote që e kanë të vështirë të kuptojnë se si jetuam ato vite izolimi total, por ehde për të rinjtë tanë.

Shqipëria ka mundësinë të bëhet si një Itali e vogël, por më e lirë në çmime në Ballkan: Dielli, ushqimi, mundësia për të folur shumë gjuhë të huaja, mirësjellja, mikpritja mund të bëhen forca më e madhe e jonë. Nëse këtyre iu shtohen dhe politikat për të ruajtur të hapura e të prekshme për të gjithë bukuritë e vendit tonë, bashkë me historinë e mirëtreguar, respektin dhe rimëkëmbjen e natyrës, besoj se i krijojmë vetes një vend dinjitoz në rajon.

a.m.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anonim: 01/07/2019 21:23

    Keni te drejte Shqiperia ka shume potenzial turistik,po te punohet ne rregull,e kam lexuar edhe ne artikuj te huaj kur thone se Shqiperia nuk ka nevoj te ndihet e ulur ne krahasim me fqinjet se te ofron me shume,vete jetoj ne westeuropa keshtu qe mund te bej krahasime.

    Përgjigju
  • era: 01/07/2019 14:21

    Mushkonjave si do i behet .. greqi kroaci turqi ska as miza .. ketu te grijne mushkonjat...

    Përgjigju
    • Arben: 26/07/2019 22:04

      Era futi një të lyme me uthull

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?