Turizmi në Shqipëri, kryetari i Shoqatës së Turoperatorëve (ATOA) në Report Tv: Për aq kohë sa do të ketë krizë, do të ketë më pak pushues

27 Korrik 2022, 15:26| Përditesimi: 28 Korrik 2022, 15:03

  • Share

Të dhënat e raportuar nga INSTAT lidhur me numrin e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë sipas kryetarit të Shoqatës së Turoperatorëve (ATOA), Kliton Gërxhani janë shifra që i referohen  në përgjithësi hyrje-daljeve dhe jo atyre të turistëve. I ftuar në Report Tv, në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu, kryetarit të Shoqatës së Turoperatorëve, thotë se shifrat e raportuara lidhur me numrin e turistëve që kanë vizituar vendin duhen interpretuar, pasi duhen marrë parasysh dhe partnerët e tjerë, si për shembull pronarët e hoteleve, lidhur me numrin e prenotimeve.

 “Shifrat e INSTAT janë shifra të përgjithshme, kemi shprehur rezervat tona. Duhen interpretuar, lidhur dhe me sinjalet që vijnë nga partnerët tanë, nga hotelet që thonë se nuk janë mbushur. INSTAT ka gjithmonë shifra pozitive, ndryshe nga realiteti. Shifrat janë më tepër të hyrje-daljeve dhe jo të turistëve.”, u shpreh Gërxhani.

Lufta në Ukrainë si kriza e çmimeve janë faktorë ndikues në vendimmarrjen e turistëve për pushimet verore.

“Ne jetojmë në një kohë krize, jo vetëm një krizë  shqiptare, por dhe botërore, çmimet janë rritur, është fakt, nafta, drithërat, energjia është rritur, të gjithë këto ndikojnë në buxhetin e konsumatorëve. Shqiptarët kanë më pak të ardhura, kjo është një situatë jo vetëm te ne, por dhe në botë, njerëzit ankohen se kanë më pak të ardhura jo për shkak të çmimit të hoteleve, por janë rritur kosto. 90 % më shumë janë rritur biletat e avionit , këto ndikojnë në  vendimmarrjet e konsumatorëve.  Për aq kohë sa do të ketë krizë do të ketë më pak pushues , por mund të ketë një zhvendosje të lehtë të tregut të huaj.”, u shpreh operatori turistik.

Kujtojmë se në bazë të dhënave të raportuara nga INSTAT, në 6 muajt e para të këtij në Shqipëri kanë hyrë rreth 2.55 milionë qytetarë, shtetas shqiptarë ose të huaj, një rritje shumë e madhe krahasuar me një vit më parë kur ishin 1.68 mln hyrje në vend, ndërkohë që është tejkaluar ndjeshëm edhe viti 2019, i fundit normal para nisjes së pandemisë së COVID-19.

Edhe ky sezon dominohet nga kosovarët, pasi këtë gjashtëmujor kanë hyrë në vend 12,6 % më shumë shtetas nga ky vend. Janë në total mbi 969 mijë shtetas kosovarë që kanë hyrë në Shqipëri në këtë gjashtëmujor, nga rreth 861 mijë që ishin në të njëjtën periudhë vjet. Pastaj me numrin më të lartë të hyrjeve është Maqedonia e Veriut me 289 mijë, ndjekur nga Greqia e Mali i Zi me nga mbi 199 mijë. Sipas raportit rritjen më të madhe e kanë regjistruar hyrjet nga Greqia me 5,1 herë me të njëjtën periudhë të vitit 2021.Sa i përket daljeve nga Shqipëria, INSTAT raporton se gjatë muajit Qershor 2022, janë 1.262.925 duke shënuar një rritje me 44,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2022 janë 498.857. Krahasuar me Qershor 2021, ky numër është rritur me 34,2 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2022, janë 764.068. Krahasuar me Qershor 2021, ky numër është rritur me 52,3 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë të 2022, është 2.519.533 duke u rritur 47,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?