Jugu i Shqipërisë

Turizmi, lokomotiva e rritjes së PBB-së shqiptare më 2022

28 Qershor 2023, 18:23| Përditesimi: 28 Qershor 2023, 19:22

  • Share

Gjysma e rritjes së PBB-së në Shqipëri më 2022 (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë) i atribuohet rritjes së turizmit (krahasuar me 2019-ën)

Gjatë pandemisë, në Shqipëri (si kudo në botë), u konstatua një tkurrje e fluksit të turizmit, si dhe e aktivitetit ekonomik në përgjithësi. Por në vitin 2022, fluksi i turizmit u rikthye fuqishëm në botë – e rrjedhimisht edhe në Shqipëri. Kështu, gjatë vitit 2019 (para pandemisë) u futën në Shqipëri 6.4 milionë shtetas të huaj (https://www.undp.org/albania/publications/tourism-and-hospitality-albania-2022 ), ndërsa gjatë vitit 2022 u futën mbi 7,5 milionë shtetas të huaj, një rritje prej 17.7%.

Po si ka ndikuar kjo rritje e turizmit tek aktiviteti ekonomik në territorin e Shqipërisë?

Për t’iu përgjigjigjur kësaj pyetje kemi analizuar Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), që është thjesht vlera totale e të gjithë mallrave/shërbimeve të prodhuara në një territor, minus vlerën e mallrave/shërbimeve të nevojshme për prodhimin e tyre, plus taksat neto mbi produktet e shërbimet.

Sipas INSTAT-it, PBB gjatë vitit 2019 (para pandemisë) nga aktiviteti ekonomik në territorin e Shqipërisë ishte rreth rreth 15.9 miliardë euro (me kursin e sotëm të këmbimit të euros). Nga këto, rreth 6.2 miliard euro ishte Prodhimi i Brendshëm Bruto vetëm nga aktivitetet akomodim, shërbim ushqimor, argëtim, art, tregëti, transport, dhe aktivitete të tjera shërbimi.

INSTAT i publikon me një vit vonesë llogaritë e ndara imtësisht sipas sektorëve, por një vlerësim paraprak i PBB gjatë vitit 2022 nga aktiviteti ekonomik i lidhur me turizmin mund të bëhet qysh sot, duke ndërthurur statistikisht matricën input-output (burime-përdorime) të INSTAT-it me një studim të kryer në terren nga UNDP në fund të vitit 2022 (https://www.undp.org/albania/publications/tourism-and-hospitality-albania-2022 ). Të gjitha ndërveprimet ekonomike mes degëve dhe nëndegëve të ekonomisë prëmblidhen në matricën input-output (burime-përdorime), e cila tregon sesi është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë prodhimi në secilën degë e nëndegë të ekonomisë. Bazuar në këtë matricë, mund të zhvillohet një analizë input-output (burime-përdorime), e cila kap të gjitha efektet e drejtpërdrejta e të tërthorta të faktorit që është objekt i analizës

Nga analiza e mësipërme, rezulton se PBB në vitin 2022 nga aktivitetet akomodim, shërbim ushqimor, argëtim, art, tregëti, transport, dhe aktivitete të tjera shërbimi arriti shifrën rreth 6.57 miliardë euro (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë) – një rritje neto prej rreth 340 milionë eurosh (5.5%), krahasur me vitin 2019. Ky efekt i drejtpërdrejtë i turizmit u shoqërua edhe me një efekt të tërthortë në aktivitetet e tjera ekonomike në masën rreth 1.06 miliardë euro shtesë në PBB (zhveshur nga inflacioni dhe rritja e popullsisë). Përmbledhtas, gjallërimi i turizmit vlerësohet të ketë ndikuar gjithsej me një rritje neto të PBB-së prej rreth 1.4 miliardë eurosh në vitin 2022, krahasuar me vitin 2019 (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë).

Nga të dhënat e publikuara nga INSTAT-i deri më sot në shkallë kombëtare, mund të ekstrapolohet përafërsisht se të gjitha aktivitetet ekonomike në Shqipëri kanë gjeneruar në total një rritje të PBB-së prej rreth 2.8 miliardë eurosh më 2022, krahasuar me 2019 (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë). Dhe gjysma e kësaj rritje i atribuohet rritjes së turizmit.

• 340 milionë euro, kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në rritjen ekonomike më 2022, krahasuar me 2019-ën (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë)

• 1.06 miliardë euro, kontributi i tërthortë i turizmit në rritjen ekonomike më 2022, krahasuar me 2019-ën (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë)

• 1.4 miliardë euro, kontributi gjithsej i turizmit në rritjen ekonomike më 2022, krahasuar me 2019-ën (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë)

• Gjysma e gjithë rritjes ekonomike më 2022, krahasuar me 2019-ën (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë), i atribuohet rritjes së turizmit

SHËNIM: Kjo analizë është pjesë e një studimi mbi turizmin që po kryen Qendra Agenda

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?