Tre serbë të arrestuar nën dyshimet për krime lufte në Kosovë! BE: Jemi në kontakt me autoritetet

20 Shtator 2023, 19:03| Përditesimi: 21 Shtator 2023, 15:52

  • Share

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se tre pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë janë arrestuar nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile.

Njoftimi i prokurorisë nuk jep hollësi të tjera, përveç faktit se të arrestuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Arrestimet nxitën reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët thanë se ato janë të “motivuara politikisht”.

Lista Serbe, partia më e madhe politike serbe në Kosovë, nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se me këtë veprim po vazhdon, siç tha, “planin për zgjidhjen e çështjeve të hapura politike me dhunë e forcë”.

“Po i trajton serbët e Kosovës si pengje në procesin negociues, të cilët ai mund t’i sulmojë kurdo që ai dëshiron dhe kësisoj t’i dërgojë mesazh Bashkimit Evropian se nuk mund t’i bëjë asgjë atij”, thuhet në reagim.

Lista Serbe po ashtu i bëri thirrje KFOR-it dhe EULEX-it “të parandalojnë ndërhyrjet nga forcat e posaçme të policisë dhe provokimet e tjera që rrezikojnë paqen dhe shkaktojnë tensione”.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tha se "do t’i informojë përfaqësuesit dhe misionet ndërkombëtare" se “çdo gjë që bën Prishtina ka për qëllim që të nxis tensione dhe probleme të reja në terren”.

Drejtori i kësaj zyreje, Petar Petkoviç, tha në një konferencë për media se qëllimi i kryeministrit Kurti është të përjashtojë serbët dhe të nisë një luftë.

“Në dy muajt e fundit, serbët nuk kanë bërë asgjë për të dëmtuar askënd. Ata nuk kanë sulmuar askënd. Ata e jetojnë jetën e tyre ashtu siç dinë. Para se të nisej për në Bruksel, vetë Kurti tha se në veri është qetë”, theksoi ai.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës në Kosovë e cila mori fund me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, që i dha fund mizorive të forcave serbe.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga përfundimi i luftës nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtar janë dënuar rreth 70 persona për krime lufte, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare./VOA

Ora 15:46
BE: Jemi në kontakt me Kosovën për tre serbët e arrestuar për krime lufte

1695304223_gggggggg.JPG1695304224_gggggggg.JPG

Bashkimi Evropian (BE) nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës dhe është në kontakt me to, për të pasur një pasqyrë të plotë rreth arrestimit të disa serbëve në veri të Kosovës, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano. Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi dje se i ka arrestuar tre persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”. I pyetur nëse po e vinte në pikëpyetje autoritetin e Kosovës për t’i hetuar rastet e krimeve të luftës dhe për të ngritur aktakuza gjatë në një konferencë për media sot në Bruksel, Stano tha: “Kur fola për atë se çfarë po ndodh në veri të Kosovës lidhur me arrestimet nga ana e policisë, nuk thashë se po vëmë në pikëpyetje ndonjë gjë.”

“Thashë se jemi në kontakte të ngushta me partnerët tanë dhe me autoritetet relevante për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe si po kryhen këto veprime. Thashë se po i mbledhim informatat e nevojshme në përgjithësi“, tha Stano. Stano shtoi se BE-ja është duke mbledhur informacione rreth këtij rasti dhe se “nëse do të ketë nevojë, BE-ja do të reagojë edhe publikisht”, dhe se “qëndrimi i BE-së për procedimin e krimeve të luftës nuk ka ndryshuar“. Prokuroria tha se tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pa dhënë ndonjë hollësi se për çfarë krime lufte akuzohen ata. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se dy prej tre të arrestuarve janë prej komunave të banuara me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan.

Kundërshtimi i Beogradit

Lidhur me këto arrestime ka reaguar Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Sipas tyre, arrestimet janë të motivuara politikisht. “Është e qartë se [kryeministri i Kosovës Albin] Kurti po vazhdon me planin e tij për ta përdorur dhunën dhe forcën për t’i zgjidhur çështjet e hapura politike dhe për t'i trajtuar serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave”, është thënë në reagimin e Listës Serbe, pa përmendur se të ndaluarit akuzohen për krime lufte.

Në një konferencë për media në Beograd të mërkurën, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se arrestimi i tre serbëve përbën “vazhdimësi të spastrimit etnik” nga qeverisja e Kurtit. Ai shtoi se ka marrë urdhër nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të nisur procedurë për thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur./Rel

S.S//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?