Tre shqiptarët tanë në La Scala
të Milanos, fenomeni Eris Nezha

1 Maj 2013, 05:10| Përditesimi:

  • Share
Nuk e di nëse dikush ka peshuar ndonjëherë retë dhe nuk e di sa mund të peshojnë dy re të vogla e të bardha në një qiell blu pranveror… Por… tamam atë elegancë, fluturim e lehtësi përcollën në skenën e teatrit më të famshëm në botë, në La Scala të Milanos, në interpretimin e baletit “Giselle” shqiptari Eris Nezha dhe e fejuara e tij italiane Petra Conti.

Prej më shumë se një viti janë Balerinë të Parë në La Scala dhe të bëhesh balerin i parë në këtë tempull të baletit, duhet të jesh shumë, shumë i aftë: duhet të jesh një krijesë mes tokës dhe qiellit, një nivel ekzistence superior, që ne njerëzorët, vetëm në raste të veçanta, në ato pak orë spektakli mund të jemi dëshmitarë e t’i shijojmë.

Nuk e dija se te Giselle, në spektaklin e 27 prillit, Princi Albreht ishte një shqiptar. Intrepretimi i jashtëzakonshëm, duartrokitjet e një publiku tepër kërkues dhe pretendues më bënë të shoh mirë, më me vëmendje e të kërkoja të dija kush ishte Eris Nezha.

“E’ ALBANESE…”

Perceptoj që në informacionet e para që Erisi është një yll i baletit, i aftë të ngre në qiell shpirtrat e artëdashësve që shkojnë në La Scala nga të katër anët e globit, por dhe një djalë i thjeshtë, plot mirësjellje. “Eshtë shqiptar – më thonë nga personeli që kujdeset për orientimin e spektatorëve – mund ta takoni pas spektaklit, aty ku dalim të gjithë ne në mbyllje të teatrit”.

Në atë derë ishte një radhë e gjatë. Pas spektaklit, artëdashës nga vende të ndryshme të botës, qëndronin për të marrë autografet dhe per t’iu dhënë lule balerinëve të tyre të preferuar. Siç është tradita, në fillim doli orkestra e Akademisë, e më pas balerinët një e nga një. Edhe këtu një tjetër surprizë: Diana Subashi, violiniste shqiptare, nga Tirana.

Diana është e qeshur, e sjellshme dhe shumë e gatshme të na ndihmojë për t’i çuar një mesazh Erisit për të treguar diçka për lexuesit shqiptar.

Erisi dhe Petra dalin të fundit. Një tufë trendafilash të kuq për Petrën dhe nis përshëndetja dhe autografet për të apasionuarit: Janë rusë, polakë, francezë, gjermanë, austriakë, japonezë… dhe disa të moshuar italianë që vetëm flasin, flasin e bëjnë komplimente.

HYJNORË NË SKENË

Shqiptari Eris Nezha dhe Petra Conti duken hyjnorë në skenë. Eleganca, saktësia, perfeksioni dhe lehtësia për të bërë kërcimet e tyre në ajër i bën të duken si një pikë lidhje mes Tokës dhe Universit. Pas spektaklit, të veshur me xhupat e të përditshmes, me buzëqeshjen e ëmbël, gati fëmijënore, janë të thjeshtë si buka, e të pastër si uji.

Janë të lumtur për atë që kanë arritur, por dhe modestë. Interpretimi i tyre, perfeksioni tregon se atë që arrijnë e kanë falë një pune të jashtëzakonshme, të përditshme që nis që kur ishin fëmijë. Bukuria e të dyve dhe mirësia që përcjellin është e papërshkrueshme: “Vij në verë në Shqipëri, - thotë Erisi, i cili meriton që në vendin e tij të jetë shumë më shumë i famshëm dhe i njohur – do të më pëlqente të kërceja në vendin tim. Dëshira është e madhe, por varet dhe nga marrëveshjet që mund të bëjnë La Scala me Tiranën”.

Nis të tregojë se si u largua nga Shqipëria në 1997 dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të prindërve. Sakrificat e tyre për ta çuar të birin në Akademinë e La Scala-s. Eshtë mirënjohës dhe i gatshëm t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve, pavarësisht lodhjes pas spektaklit. Në bisedë bashkohet dhe Petra dhe nuk kam fjalë ta shkruaj vërtetë saktë atë që perceptova kur bëra një fotografi mes tyre: Isha e përfshirë në një energji të mirë.

Erisi, Primo Ballerino alla Scala di Milano (Balerini i Parë i La Scala të Milanos) dhe e fejuara e tij Petra, gjithashtu Balerinë e Parë kanë një kalendar artistik shumë të ngjeshur, por ngjarjen më të bukur për këtë vit do ta kenë me 14 gusht, kur të kurorëzojnë martesën e tyre në Tiranë.

diana subashienkelejda sheshaj


Diana Subashi dhe Enkelejda Sheshaj

ENKELEJDA SHESHAJ VIOLINË E PARË, DIANA SUBASHI NË AKADEMINË E LA SCALA-S

Në akademinë e La Scala-s nuk arrin kushdo. Janë instrumentistë nga vende të ndryshme të botës dhe kalohen konkurse të forta seleksionuese. Diana, vajza me flokë të gjatë e sy të mëdhenj nga Tirana, e ka realizuar këtë objektiv. Eshtë pikërisht orkestra e Akademisë ajo që shoqëron baletin “Giselle” dhe mbrëmjen e 27 prillit Eris Nezhën dhe të Petra Conti-n.

Një natë më parë, në premierë, shoqëruan dy yjet e La Scala-s në të njëjtin rol Roberto Bolle dhe Svetlana Zakharova. “Erisi është po aq i mirë, - e thonë të gjithë, na pohon Diana, - dhe Petra është e preferuara ime”.

Në la Scala të Milanos është një tjetër krenari shqiptare: Enkelejda Sheshaj si violinë e parë. Për të kemi shkruar dhe më parë në Shqiptarja.com. Enkelejda ishte gjithashtu një zbulim i jashtëzakonshëm për ne. Një tjetër krenari e madhe për ne shqiptarët e raskapitur, por të pamposhtur, të tranzicionit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013

Redkasi Online
(b.mshqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?