Tre shqiptarë në Expo 2015
rilindja e re e Milanos

15 Dhjetor 2013, 06:43| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Gjashtë shekuj nga Rilindja italiane, “Njeriu Vitruvian” i Leonardo Da Vincit vazhdon të mrekullojë, jo vetëm si një simbol i mirëformimit. ”Njeriu Vitruvian” është një skicë e hollësishme e trupit të njeriut, e vizatuar në qendër të një katrori dhe rrethi, me krahët dhe këmbët e shtrira, si për të lënë të kuptohet se njeriu sfidon çdo ndrydhje dhe është i prirur të kapërcejë çdo kufi, sapo një kufizim i vendoset.

Ky simbol i kulturës italiane të Rilindjes, i njohur universalisht, do të jetë imazhi i eventit botëror Expo 2015, një event me traditë mbi njëshekullore që do të zhvillohet për 6 muaj në Milano me sloganin “Të ushqejmë planetin- energji për jetën”.

Zgjedhja e “Njeriut Vitruvian” nuk është e rastësishme në këtë edicion të 56- të këtij eventi që starton në 1 maj dhe përfundon në 31 tetor, duke e shndërruar kryeqendrën e Lombardisë në kryeqendrën e botës. Përmes veprës së Da Vincit, artisti që ka ndikuar fuqishëm në një nga epokat më të shkëlqyera të kulturës evropiane, kërkohet të dëshmohet “Rilindja e re” që Milano është gati të përjetojë me këtë event botëror, një rast unik për të treguar zhvillimin e jashtëzakonshëm të shkencës dhe teknologjisë në këtë shekull. Përgatitjet kanë nisur tashmë në Milano. Sheshi Cordusio në kryeqendrën e Lombardisë dominohet prej ngjyrave të flamujve nga gjithë bota, mes tyre edhe flamuri shqiptar. Ngjyrat shumëkombëshe tërheqin interesin e turistëve të shumtë që vizitojnë Milanon në këto ditë të fundit të vitit. Në të njëjtën kohë janë edhe lajmëtaret e para të Expo 2015.

Urat e bashkëpunimi për Shqipërinë në Expo 2015
Si kryebashkiak i Milanos, qytetit mikpritës të Expo 2015, Giuliano Pisapia ka nisur takimet me përfaqësuesit e të paktën 80 shoqatave që janë një urë komunikimi me vendet pjesëmarrëse nga pesë kontinentet. Nga pjesa e Evropës bordi drejtues i shoqatës përfaqësohet edhe nga 3 shqiptarë, mes të cilëve Astrit Çela, një shqiptar i suksesshëm në Gadishullin Apenin.

Takimet kanë qenë të vazhdueshme dhe Astrit Çela tregon se kryebashkiaku Giuliano Pisapia ka shprehur gatishmërinë që EXPO 2015 të shërbejë si një mundësi për binjakëzimin e Milanos me kryeqytete të ndryshme të botës, për t’i shërbyer në këtë mënyrë pasurimit të kulturave mes vendeve. “Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, le ta marrë këtë sinjal të fortë për ta shfrytëzuar në rritjen e bashkëpunimit me një qytet metropol sikurse është Milano”, thotë Çela, ndërsa shpreson që politikanët në Shqipëri të kujtohen që Milano është në rangun e Romës, Parisit, Londrës, ndaj është e nevojshme për ta drejtuar më shumë vëmendjen ndaj saj. Pjesë e jetës milaneze për më shumë se dy dekada, Astrit Çela është sot funksionar i Dhomës së Tregtisë në Milano, organizator i Expo 2015. 

I ardhur nga qyteti i vogël i Skraparit në Gadishullin Apenin, Çela ka pushtuar faqet e prestigjiozeve italiane si Corriere Della Sera, La Republica, La Stampa, ku iu bë edhe një dokumentar i posaçëm në RAI. E në këto vite përpjekje integrimi në Itali, kontaktin me Shqipërinë nuk e ka ndërprerë asnjëherë. Vendos ura miqësie mes dy popujve me shoqatën "Albania e Futuro", të cilën e ka ngritur dhe drejton prej vitesh në Milano. Kujton jo pa krenari se në vitin 2001 solli në Berat dhe Çorovodë 60 italianë, të cilët u njohën me kulturën dhe traditën e kësaj zone. Si një ndër emigrantët e përzgjedhur nga Albanian Excellence në librin “Berati histori suksesi” që u promovua këtë vit me një mbrëmje gala në qytetin e një mbi një dritareve, Astrit Çela mendon se projekte të tilla janë pozitive për diasporën shqiptare në botë.

I nxitur nga “Berati histori suksesi”, Çela është edhe iniciator i evidentimit të shqiptarëve të suksesshëm në Itali në një botim të vetëm dy gjuhësh, shqip dhe italisht, një projekt ambicioz që u shpall nga ai së bashku me Presidenten e Albanian Excellence, Flora Nikolla, në mbrëmjen që Albania e Futuro organizoi në Milano në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. E gjithë kjo histori suksesi e Astrit Çelës në Itali shpjegon edhe përzgjedhjen e tij si urë komunikimi mes Shqipërisë dhe eventit botëror Milano EXPO 2015. “Milano është ekonomia, është industria, është biznesi, por edhe EXPO 2015 që po afron”, thotë Astrit Çela, duke përsëritur apelin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha që të aktivizojë të gjitha burimet njerëzore në bashki për të konsideruar binjakëzimin me Milanon.

Pak histori për ekspozitat botërore

Deri më sot Ekspozitat Botërore janë realizuar 55 herë dhe vendi mikpritës përcaktohet me votim nga Zyra e Ekspozitave Ndërkombëtare (BIE) me 167 shtete anëtare, me seli në Paris.
Pas më shumë se 1 shekull nga hera e parë e organizimit, Ekspozitat Botërore, vazhdojnë të mbeten një pikë kyçe takimi për komunitetin global. Çdo pesë vjet, evente të tilla frymëzojnë botën me idetë e gjeneratës së ardhshme.

Ekspozita e 55-të Botërore 2010 në Shangai- Kinë ndihmoi për transformimin e qendrës së këtij qyteti industrial, në një zonë të lulëzuar kulturore dhe tregtare, duke ndjellë ndërkohë me tematikën e saj “Qytet më i mirë, jetë më të mirë” pjesëmarrjen dhe vëmendjen e 73 milion njerëzve. Edicioni i 56-të do të lulëzojë në Milano, një nga qytetet ku gjeniu i Rilindjes italiane, Leonardo Da Vinci i dha artit edhe elementin shkencor.
 
Shkrimi u publikua sot (15.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?