Transport falas pas 14 majit, Shabani: Këlliçi na kopjoi gabim, e kemi vetëm për studentët dhe pensionistët! Ne gjenerojmë shpresë, partitë e vjetra pa surpriza

7 Prill 2023, 17:56| Përditesimi: 7 Prill 2023, 18:34

  • Share

Kryetari i Partisë ‘Nisma Thurje’ Endri Shabani pretendon se Belind Këllici, kandidati i koalicionit Berisha-Meta ka kopjuar skemën e tyre për transformimin e transportit publik në Tiranë. Në një intervistë për Report Tv, në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, komenton platformën e Belind Këlliçit që premton për transport publik falas duke thënë se kanë të njëjtën skemë, por vetëm për 2 kategori, studentët e pensionistët.

“Na i kanë marrë neve se e kemi nisur më herët por s'jam i sigurt nëse e kanë kuptuar drejt. Ne kemi propozuar që të kemi transport publik të unifikuar. Problemi më i madh që ka sot Tirana është transporti publik, ku është ineficent”, tha Shabani.

Kreu i Nismës Thurje thotë se qëllimi i tyre është që të arrijnë të sigurojnë vende brenda këshillit bashkiak për të sjellë ndryshime të mëdha në kryeqytet. Shabani përmendi se ngërci më i mahd është tek trafiku dhe lëvizja e ngadaltë e autobusëve. Sipas tij, nëse zënë vend në këshillin bashkiak do të bëjnë të mundur që të ketë transport falas për studentët, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara. Po ashtu sugjeron që çmimi i biletës të shkojë 100 lekë në mënyrë që të përdoret në të gjitha linjat.

“Duam të shkojmë në këshill bashkiak si pykë, të heqim shumicën e të rinisim kontrollin. Është fokusuar te kryetari i bashkisë por harrohet këshilli bashkiak kur merren vendime. Privatët këta kanë leverdi që autobusët të lëvizin ngadalë. Leverdia e autobusit që lëviz ngadalë është se nëse autobusi vjen çdo 1 orë, do futen më shumë njerëz. Sa më ngadalë të lëviz autobusi, aq më pak harxhojnë për stafin, konsumin, kështu që e gjitha është qëllimi i fitimit. Ne sot nuk vëmë dot GPS se private nuk do të kontrollohet. Kategoritë që duhet të lëvizin falas janë studentët dhe pensionistët. Po ashtu të bëjmë dhe 100 lekë biletën që ta përdorësh gjithë ditën në të gjitha linjat e të reduktojmë trafikun.

Trafiku është humbje ekonomike, gjë që zgjidhet nga këshilli bashkiak. Këtë se kam parë të artikuluar as nga Belind Këlliçi, as nga Erion Veliaj. Propozimi ynë është që linja duhet të jetë publike. Skema aktuale ku private kanë marrë monopolet i imponohen bashkisë. Nëse këshilli bashkiak do mbetet si tani, premtimet bëhen dhe mbeten aty. Unë besoj që garancia më e madhe që mund të kenë qytetarët e Tiranës është duke çuar këshilltarët e nismës Thurje. Transporti falas për pensionistë dhe student, personat me aftësi të kufizuar. Për të tjerët besoj se nuk ka asnjë arsye pse të jetë falas. Një njeri e merr makinën sot se lëviz më shpejt, jo se është më lirë. Në Gjermani nuk bëhet fitim me autobusët”, tha Shabani.

Një tjetër ndryshim që thotë se do të vijë pas 14 majit është përmbysja e skemës së taksimit dhe demokracia vendore. Për këtë i referohet transparencës brenda pallateve e brenda shkallës që të bëhet administrimi i duhur.

“E dyta është skema e taksimit. Bashkia Tiranë ka rritur taksat në mënyrë irracionale. E dëgjova Veliajn që tha s’ka kompleks ndaj oligarkëve por i çon faturën. Por po të shohësh pallatet e oligarkëve, ngaqë janë regjistruar si investitorë strategjikë, paguan taksë 0. Ndërkohë ai që do shesë shtëpinë, paguan 13%. Në këto kushte, duhet të ndryshojë. T’i rriten taksat oligarkëve se dhe kanë më shumë dhe i duhet ulur atyre që blejnë shtëpi. Pra duhet përmbysje e sistemit të taksimit. Sot 30% e buxhetit të Tiranës vjen nga lejet e ndërtimit. Është krijuar varësi ndaj betonit kur Tirana ka kushte për skema alternative të financimit si energjia e rinovueshme që mund të përhapet në shkollat publike, pallatet e vjetra.

E treta është demokracia vendore. Sot problem më i madh që kanë qytetarët është administrimi i shkallës së vet. Ka konflikte në nivel social, brenda pallateve, brenda shkallës dhe s’mund të kemi demokraci në nivel qyteti pa nisur në demokraci në nivel shkalle. Kjo mund të bëhet përmes teknologjisë online që banorët të kenë transparencë, të ekspozohet kush paguan e kush jo, ta zgjerojmë më pas në nivel lokal”, tha Shabani.

Shabani përmendi edhe disavantazhet që ka ‘Nisma Thurje’ përballë partive të mëdha dhe shton se i vetmi avantazh që kanë është që gjeneron shpresë se do të sjellë ndryshimin.

“Ne vijmë me disa disavantazhe. I pari është që burimet financiare dhe struktura në terren është e kufizuar. Duhet të përballemi me mosbesimin që njerëzit kanë te politika dhe tek ideja që mund të vijë ndryshimi. Avantazhi ynë është që mund të gjenerojmë shpresë. Të gjithë ata që votojnë për partitë e vjetra, e dinë që nuk mund të bëhet situata më mirë. Nuk beson se gjëja mund të bëhet më mirë, nuk ka asnjë surprizë, është film që kemi 33 vjet që e shohim. Padyshim që krijohen kushte dhe s’kemi kusure në të shkuarën”, tha Shabani.

Në përfundim, Shabani u shpreh se kanë zgjedhur të shkojnë vetëm në këto zgjedhje vetëm se duan që të hyjnë brenda Këshillave Bashkiak e të sjellin ndryshim por nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit.

“Nëse kanë dëshira të mira, le të vijnë për bashkëpunim”, tha Shabani.

Thirrja e tij e vetme për qytetarët është që të mos mungojnë në votime më 14 maj.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Daje Ceni: 08/04/2023 08:29

    Kot nuk thote populli Sheh rrushi rrushin dhe piqet. Sa pa bypur ne karrike keshtu bejne te gjithe keta sa hypin behen edhe keta si paraardhesit .

    Përgjigju
  • goni: 07/04/2023 20:12

    Ke te drejte endri ,,,i kemi pare 30 vjet keto parti te vjetra,,,,vetem kane vjedhur dhe larguar shqiptaret ne emigracion,,,une do votoj per ty endri,,dhe arlind qorrin,,, me dukesh nje njeri i ndershem.......populli yne i mire te mos votoje me saliun.meten.apo ramen...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?