Trafikonin emigrantë të paligjshëm, Gjykata lë në burg 6 nga të arrestuarit! Detyrim paraqitjeje për policin

16 Tetor 2023, 10:21| Përditesimi: 16 Tetor 2023, 10:27

  • Share

DURRËS- Gjykata e Durrësit ka caktuar masën arrest me burg për 6 të arrestuarit për trafik emigrantësh të paligjshëm. Ndërkohë, gjykata ka vendosur masën ‘detyrim paraqitjeje’ për policin Fatjon Uka. ‘Arrest me burg’ është vendosur për Daniel Sino, Fatmir Kapaj, Shani Pirro, Emilian Sina, Ardian Tema e Ledion Koçiu.

Dy grupet kriminale që u goditën disa ditë më parë transportonin emigrantë kundrejt parave në vendet e Bashkimit Europian. Hetimet kanë dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve, të cilët të organizuar si grup kriminal, kundrejt pagesave 3500-5000 euro që dërgoheshin nëpërmjet pikave të transferimit të parave, transportonin emigrantë nga Nepali, Afganistani, Bangladeshi dhe India, që ndiqnin itinerarin “Turqi-Greqi-Shqipëri” dhe synonin të kalonin në vendet e Bashkimit Europian.

Policia tha se emigrantët, pasi grumbulloheshin në Greqi, kaloheshin nga pjesëtarët e këtij rrjeti, nga kufiri i gjelbër, në Sarandë, Gjirokastër dhe në Korçë. Më pas, ata akomodoheshin në ambiente të ndryshme dhe transportoheshin me automjete të marra me qira, drejt Shkodrës, për të kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Gjatë aksionit janë shpallur në kërkim edhe dy persona nga Kruja dhe ka nisur procedim në gjendje të lirë për një 65 vjeçare, banuese në Durrës.

 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?