‘Tradita në gur', Tirana e vjetër në mozaikët e Gajtanit

15 Dhjetor 2022, 10:56| Përditesimi: 15 Dhjetor 2022, 11:05

  • Share

Etnografia me valle e kostume, arkitektura, ajo e Tiranës së vjetër, skalitet me gur bregdetar nga artistja Erieta Gajtani. “Tradita në gur” vesh kështu përmes 19 punimesh në mozaik, muret e qoshkut ekspozues të Tirana Ekspres “Te’Galeria”.

“Kam trajtuar gruan tiranase, kostumin popullor të saj... Diku në një valle karakteristike “Napoelonin”. Tek “Goca e Tironës në oborr’ frymëzimin e kam marrë nga shtëpia ku jemi rritur, që u shemb nga regjimi. Dhe si bijë tiranase, ia kisha borxh vendlindjes sime”, shprehet artistja Erieta Gajtani.

Në disa nga veprat e saj, Tirana tek artistja, vjen krahas nuancave të nostalgjisë, me nota melankolie, për peizazhin arkitekturor të tjetërsuar, ku e kaluara herë nuk është e pranishme, e herë të tjera qëndron në hije.

“E kam përcaktuar në një mozaik atë Tiranën që kam lindur, kam jetuar dhe Tiranën që po bëhet sot. Unë e kam thënë që nuk jam kundër ndryshimit, kundër modernizmit, por krahas modernizimit duhen ruajtur edhe objektet e vjetra” shprehet më tej.

I plotësuar me të tjerë elementë, çdo gur është mbledhur prej vetë artistes, në brigjet detare të Shqipërisë, por edhe në rajon. Gjithmonë në kërkim të ngjyrave, formës, materialit. Disa i përshtat, ndërsa gurëzat i kthen në art duke ruajtur formën e tyre natyrale.

Në 6 vitet e fundit i është përkushtuar tërësisht mozaikut, e prej ekspozitës së parë me figurat biblike, “Traditë në gur” krahas flladit të tabanit, sjell edhe të tjera punime të artistes, si  të ashtuquajturën “Xhokondë të Vermeer, “Vajzën me vëth perle”.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?