Komisioni i Ekonomise

Tjetër ujëmbledhës në kaskadën e lumit Devoll, zv/ministrja: Shërben për ruajtjen e rezervës energjetike! Braçe: Rëndohet bujqësia, vaditja e Myzeqesë varet nga Devolli

31 Tetor 2023, 11:43| Përditesimi: 31 Tetor 2023, 11:48

  • Share

Në Komisionin e Ekonomisë është miratuar projektligji për ndryshimin e kontratës koncesionare ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si autoritet kontraktues, dhe EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower, sh.a si bashkëkoncesionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe miratimin e shtesës së katërt të kontratës së koncesionit”.

Synimi i këtij ndryshimi ka të bëjë me ndërtimin e një ujëmbledhësi të ri në kaskadën e Devollit, i cili do të shërbejë për të ruajtur rezervën energjetike.

“Koncesionari do të shfrytëzojë më tepër kapacitetet e kaskadës së devollit për të pasur një rezervë kur prurjet hidrike janë të ulta. Koncesionari merr përsipër shtesë për rritjen e kapacitetit të prodhimit dhe ruajtjen e kapaciteteve të energjisë. Uji do të mund të kalojë në rezervuar me sistem pompimi. Do të shtojmë kapacitetin e energjisë në momentin që ka mungesë, pra një magazinë për ruajtjen e energjisë”, u shpreh zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muçaj.

“Ndërtimi i impiantit me sistemin e rezervës së pompuar, nëse studimet dhe kushtet e tregut do ta mbështesin, do të ofrojë një përdorim më të mirë të potencialit hidrologjik të kaskadës së lumit Devoll dhe duke shtuar kapacitetin ruajtës së energjisë në vend”, tha relatorja e projektligjit deputetja Blerina Gjylameti.

“RP Moglica shtesë” është një hidrocentral me sistemin e rezervës së pompuar që do të ndërtohet pranë hidrocentralit Moglicë dhe i lidhur me rezervuarin Moglicë në Luginën e Lumit Devoll.

Por deputeti i PS Erion Braçe ka ngritur shqetësimin e vaditjes së Myzeqes, e cila cenohet nga ndërtimi i këtij ujëmbledhësi shtesë, për këtë arsye ka abstenuar për ndryshimin e kontratës, dhe kërkoi që të vendosen detyrime për koncesionarët

“Devolli është burimi kryesor për  ujitjen e Myzeqesë, për shkak se një degëszim i tij furnizon rezervuarin e Thanës që është burimi kyc për vaditje nga zona nën thanë e duke përfunduar deri në Libofshë. Kam shqetësim të shtuar, kanë nisur që me Banjën dhe Moglicën që kanë kapacitete të mëdha për grumbullimin e ujët, dhe në kontratë nuk ka ndonjë detyrim për koncesionarët për veprat vaditëse që furnizon. Me këto kontrata nuk kemi asnjë detyrim, dhe kur mungon uji gjithçka zgjidhet me telefonat, na lësho kaq apo aq ujë. Rezervuari i Thanës që është kaq i rëndësishëm për bujqësinë ka nevojë për ujë. Ndërtimi i një rezerve të tillë, mund të zgjidhë nevojat energjetike por na rëndon ne që jemi poshtë që na duhet ujë për të vaditur, përderisa nuk ka një vepër tjetër që të marrë ujë nga Semani apo Shkumbini. Është një ekonomi e tërë bujqësore që kërkon zgjidhje.  Vëmendja e shtuar përkundrejt energjisë është e vlerësuar, por në kushtet e ndryshimeve klimatike shqetësimi më i madh janë burimet ujore, po nëse i përdorimin burimet për energji çfarë do të bëhet me bujqësinë”, u shpreh Braçe

Ky ndryshim kontrate i hap rrugë kryerjes së studimeve shtesë nga shoqëria “Devoll Hydropower”, për ndërtimin e një ujëmbledhësi me stacion pompimi, në pjesën e sipërme të lumit Devoll (“RP Moglica Shtesë”).

Kapaciteti i këtij rezervuari do të jetë 1200 megavat ndërsa kostoja e investimit do të jetë afërsisht 900 milionë euro. “RP Moglica shtesë” do të ndërtohet 8 kilometra mbi rezervuarin e Moglicës.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni urdhrin për heqjen e pushimeve verore për policët?