Tjetër rivlerësim i pronave, eksperti për Report Tv: Vendim pozitiv, por s'rregullon informalitetin në treg! Të ulet tatimi 15% për shitjen

15 Maj, 16:58| Përditesimi: 16 Maj, 12:47

  • Share

Sot çdo shitje prone tatohet me 15%, për diferencën midis çmimit të parë dhe vlerës me të cilën shitet. Pra nëse një pronë e blerë apo e regjistruar me çmim 120 mijë euro, shitet 150 mijë euro për diferencën prej 30 mijë euro paguhet tatim 15% ose 4.500 euro.

Ky nivel tatimi thotë kreu i Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme Reinaldo Pipiria përveçse është barrë e rëndë për ata që kanë një pronë dhe duan ta shesin, nga ana tjetër ka nxitur informalitetin.

“Me një çmim reference dhe një barrë 15%, patjetër që shndërrohet në një incentivë për informalitet. Në momentin kur ka informalitet, dëmtohet shtresa e mesme, e cila shkon drejt kredisë për tu strehuar. Nëse shikojmë të gjitha statistikat vëmë re që nga viti 2022-2023 ka rënie me 23% të arkëtimit të tatimit nga transaksionet e pasurive të paluajtshme, ndërkohë që shohim që volumet e tregut janë rritur nga viti në vit me 15%, kjo tregon që barrë e rëndë fiskale sjellë shtrembërim të tregut, sjellin dhe informalitet”, thotë Pipiria.

Për të zgjidhur këtë problem, qeveritë kanë bërë disa herë rivlerësime të pronave, duke i afruar ato me vlerën e tregut. Në këtë mënyrë në rast shitje diferenca mes çmimi të rivlerësuar dhe asaj të shitjes nuk do ketë diferencë të madhe.

Por sipas ekspertit tregu i shit-blerjes së pronave nuk mund të rregullohet me fushata rivlerësimi, pavarësisht efektit pozitiv që ata kanë.

“Procesi i rivlerësimit ndihmon shumë, por ka ardhur momenti që duhet të ketë një ndryshim tërësor të tatimit për transaksionet e pasurive të paluajtshme”, thotë eksperti.

Pipiria thotë se ka ardhur koha për një sistem të ri taksimi, ku norma të jetë më e ulët se 15%, dhe individi të mos tatohet për shitjen e banesës së parë.

“Ky moment duhet të shfrytëzohet për të parë barrën tatimore për strehimin sepse nuk është e volitshme të vazhdohet me fushata më tej. Nëse banesa ka shërbyer si një rezidencë parësore, ti je i përjashtuar nga tatimi në momentin që e tregon, sidomos nëse ke përdorim mbi 3 vite”, thotë Pipiria.

Një tjetër rivlerësim i pasurive të paluajtshme pritet të ndodhë, brenda këtij viti nëse miratohet projektligji i depozituar në kuvend nga socialistët. Sipas propozimit të deputetes së PS-së Blerina Gjylameti rivlerësimi do ketë tatim 3% dhe do të zgjasë deri në qershor 2025. Pra nëse diferenca midis çmimit të parë dhe atij të shitjes është 30 mijë euro, tatimi do të jetë 3% ose 900 euro.

TATIMI PËR SHITJEN E PRONAVE
Vlera fillestare                    120 mijë euro
Vlera pas shitjes                 150 mijë euro
Tatimi                           30.000*15%=4.500 euro
TATIMI PAS RIVLERËSIMIT TË PRONAVE
Vlera fillestare                      120 mijë euro
Vlera pas rivlerësimit           150 mijë euro
Tatimi                           30.000*3%= 900 euro

Drafti i PS-së për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?