Kronikë

Tiranë/ Zona e 'Misto Mames' 'njollë' aksidentesh! Rruga që lidh Kombinatin me Yzberishtin si në Kabul, eksperti: Faji i këmbësorëve e shoferëve, jo i sinjalistikës

23 Shtator 2021, 16:17| Përditesimi: 23 Shtator 2021, 16:44

  • Share

Drejtuesi i motorrit me këtë manovër mund të përfundojë nën rrota të makinës. Ose mund të marrë para ndonjë kalimtarë.

Këta këmbësorë qëndrojnë në mes të rrugës pa u shqetësuar për makinat apo shoferët e acaruar që u bien borive. Ishin me fat për sa kohë nuk pati ndonjë mjet më shpejtësi shketerrë. 

Pamjet janë xhiruar në zonën e “Misto Mames”, në kryqëzimin e rrugëve “Konferenca e Pezës” dhe “Bego Hoxha”. Mu në këtë vend, të mërkurën humbi jetën një burrë, i cili po lëvizte me biçikletë. Ai u përplas nga një kamion dhe përfundoi poshtë rrotave. 55-vjeçari nuk arriti të mbijetonte.

100 metër më larg, një grua humbi jetën në datën 17 gusht. Dy automjete përplasën 50-vjeçaren njëra pas tjetrës. Në “Misto Mame” të ofrohet dhe kjo pamje e makinave të parkuara në trotuar.

Kjo zonë, deri në Kombinat njihet për numrin e lartë të aksidenteve çdo ditë. Ekspertët rrugor shkakun nuk e gjejnë tek sinjalistika. Sipas tyre, gjithçka është sipas rregullave, por moszbatimi i tyre nga drejtuesit e mjeteve dhe kalimtarët, sjellin pasoja fatale.

“Po të shohësh sinjalistikën, vë re që gjithçka është në rregull. Është në rregull edhe me vijat e bardha, tek të cilat mund të kalojnë edhe përdoruesit e biçikletave, edhe semaforët. Por, problemi është tek qytetarët, këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve, tek të cilët mungon edukimi dhe nuk respektohen rregullat e qarkullimit”, thotë eksperti rrugor Arben Luzi.

Në këtë rrugë është investuar disa vite më parë për shtim semaforësh dhe vendosjen e trafik-ndarësve, por aksidentet nuk janë ulur.

“Disa vite më parë u investua edhe për trafik-ndarësen në këtë rrugë, por siç edhe duket nuk ka shërbyer për uljen e aksidenteve”, përfundon eksperti.

Shqetësim mbetet edhe për banorët e zonës, të cilët janë të detyruar të lëvizin çdo ditë.

“Në këtë zonë ka shumë aksidente. Vetëm në këtë vit kanë vdekur shumë njerëz nga përplasjet, në mesin e tyre edhe gra”, shprehen banorët.

Përveç problemit të aksidenteve, në zonë krijohet trafik i rënduar. “Misto Mame” shërben si rrugë lidhëse me Kombinatin dhe Yzberishtin në Tiranë, për të vijuar më tej deri në Kavajë në rrugën e vjetër.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?