Tirana e gjelbërt e një arkitekti fin

10 Tetor 2016, 15:37| Përditesimi: 8 Nëntor 2016, 12:40

  • Share
Pas Gherardo Bosios, në 1939-n e largët, është një tjetër italian, Stefano Boeri, që do t'i japë stilin e tij kryeqytetit tonë të dashur: Tiranës. Për fat të mirë nuk jemi më në kohën e fashizmit, jemi në përiudhën më të bukur për Shqipërinë, që me njerëzit e duhur, synon të futet në familjen e mrekullueshme Europiane. E kemi dashur dhe ëndërruar Europën, Shtetet e Bashkuara, Perëndimin, si një realitet, si një shprehje maksimale të civilizimit që ka mundur të ndërtojë ndonjëherë në Tokë njeriu. Bashkëatdhetarë tanët kanë humbur jetën, janë pushkatuar, torturuar, persekutuar vetëm se kishin dhe aspironin këtë ëndërr. Për fat të mirë, sot jemi afër.
 
Kam njohur punën e Boerit, kur ndoshta ai as kishte vënë ndonjëherë këmbë në Shqipëri dhe aq më tepër të mendonte se do të ishte firmëtari i Planit Urbanistik të Tiranës. Në mediat italiane kisha lexuar filozofinë e tij të harmonizimit të gjelbërimit me arkitekturën. Pastaj lindi "Il Bosco Verticale", këto kulla shumëkatëshe në Milano me ballkonet plot pemë, lule, e zogj, që sjellin një revolucion të gjelbërt në ndërtimet deri tani vetëm me xhama, hekur e beton të shumëkatësheve.
 
Për mua, që gjelbërimin, lulet, natyrën, harmoninë mes nesh, - njerëzve ndotës dhe të zhurmshëm,- dhe gjallesave të brishta të Tokës, e kam si motiv të këndshëm të jetës, realizimi i Planit Urbanistik të Tiranës nga ky arkitekt fin e natyrëdashës, është një surprizë e jashtëzakonshme.
 
E duke ndjekur Boerin sot, ndërsa është dëgjesa finale, duke prezantuar Planin Urbanistik të kryeqytetit tonë në Piramidën e rrënuar nga inati i kohës dhe i politikave, shoh të shpalosur një Tiranë ëndrrash: E rrethuar nga gjelbërimi, me akoma më shumë parqe, me tarracat e gjelbërta, me planin për mbjelljen e 2 milionë pemëve në vitet e ardhshme. Ky është një plan urbanistik i mrekullueshëm për mua, e shpresoj edhe për të gjithë qytetarët.
 
E gëzuar për filozofinë e planit urbanistik, por edhe se jemi në Tiranën e 2016, ku për bindjet dhe mendimin e lirë, për shijet dhe ëndrrat, askush nuk do të na fusë në burg, torturojë, apo pushkatojë, maksimumi, do të kemi mbi kurriz "inatin", apo "sherrin", me ndonjë "aktivist" që mendon se e do më shumë se të tjerët Kryeqytetin. Por edhe këtë herë, do të gabohet.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?