Tirana çel 'Javët Kulturore Ndërkombëtare', Veliaj: Sot e gjithë bota ka ardhur në Tiranë, arti dhe kultura i bashkojnë njerëzit

1 Maj, 20:56| Përditesimi: 2 Maj, 07:24

  • Share

Bashkia e Tiranës çeli sot Javët Kulturore Ndërkombëtare me një ngjarje të organizuar në sheshin “Skënderbej”.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se Javët Ndërkombëtare të Kulturës do të nisin me atë që cilësohet si ambicia jonë më e madhe, pikërisht Javët e Bashkimit Europian. Ai tha se më pas, ato do të pasohen nga Javët Kulturore të Francës e kështu me radhë.

“Ne do t’i fillojmë javët e kulturës me atë që është bashkëpunëtori ynë më i madh, adresa jonë, destinancioni ynë, ambicia jonë më e madhe, Javët e Bashkimit Europian. Do të jetë java e parë që do të hapë siparin për gjithë këto aktivitete të jashtëzakonshme që do bëjmë. Pastaj, do të vazhdojë me Javën e Francës, ku do të kemi aktivitete të ndryshme. Ftesa ime është që secili prej jush në vendin e vet të punës, në një shkollë, në një institucion, në një biznes që ka lidhje, ka partneritet me një nga vendet, mund të jetë Japonia, mund të jetë Kosova, mund të jetë Greqia, mund të jetë Izraeli, mund të jetë Katari, të organizojë vetë një mini javë të kulturës. Sepse unë besoj që kultura, arti muzika, teatri i bashkon njerëzit, ndoshta edhe më shumë se politika, ndoshta dhe më shumë se fjalimet e pafundme. Ndaj ju falenderoj të gjithëve nga zemra, i shijoni javët e Kulturës” u shpreh kryebashkiaku. 

Veliaj tha se sot në Tiranë vijnë turistë nga e gjithë bota, duke theksuar se shpreson që këtë vit të ketë akoma më shumë se shifra rekord e arritur vitin e kaluar, prej 10 milionë turistës. 

“Kur ishim të vegjël nuk kishte fare të huaj në Shqipëri. Sot e gjithë bota ka ardhur në Tiranë. Kemi pasur 10 milionë turistë vjet. Shpresojmë të shkojmë akoma më shumë sivjet. Unë besoj se më shumë se politikat, holetet, organizimet janë zemra e bardhë dhe zemra e hapur e çdo shqiptari për turistët që do të presim këtë vit”, theksoi Veliaj. 

Javët Kulturore Ndërkombëtare do të zgjasin nga musji maj deri në muajin nëntor, ku Shqipëria do mikresë kultura nga e gjithë bota me një kalendar të pasur me aktivitete, artistë e performanca, plot me surpriza.

Ora 22:00
Çelen Javët Kulturore Ndërkombëtare, Gonxhja: Për 7 muaj me radhë me qindra aktivitete nga 20 shtete

Në një ceremoni madhështore në “Sheshin Skëndërbe”, u çel edicioni i 3-të i Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Një nismë e Qeverisë Shqiptare dhe nën kujdesin e veçantë të Minsitrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për 7 muaj me radhë, deri në Nëntor, Shqipëria do të bëhet sofra dhe bota bëhet mysafiri ynë. 

E për ti mirëpritur ashtu siç duhet 20 shtetet pjesëmarrëse, në skenën e ngritur në zemër të Tiranës, realizuan një performancë të mrekullueshme, sa tradicionale e aq inovative, grupi i koreografit Andi Murra, “Shkodra Elektronic”, violençilisti Redi Hasa, kori iso-polifonik i grave “Zërat e Lumit” dhe kori Iso-Poligonik Shqiptar. 

Teksa falenderoi anbasadorët e shteteve pjesëmarrëse, trupat diplomatikë, artistët e qytetarët e shumtë pjesëmarrës, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se shtetet pjesëmarrëse do sjellin në Shqipëri një sërë aktivitetesh, evente muzikore, performanca, ekspozita, shfaqje filmash, e shumë ngjarje multikulturore, të cilat do të mbushur salla, teatro e galeri arti, sheshe e agora qytetesh anembanë, sy e zemra komunitetesh. 

“Të nderuar miq, ambasadorë, përfaqësues shtetesh e organizatash, artistë e artdashës, autoritete, kolegë e bashkëpunëtorë! Mirëse keni ardhur sot në çeljen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, që do të rrokin tërë vendin për 7 muaj rresht, deri në Nëntor, nisur nga Tirana, për të mbushur salla, Teatro e galeri arti, sheshe e agora qytetesh anembanë, sy e zemra, me programe të pasura aktivitetesh nga mbi 20 shtete! Kaleidoskop rrezesh e ngjyrash!
Nga nesër merr jetë Java e Europës, si rrënjë dhe perspektivë e jona, e para jo pa qëllim – e shtrirë në Gjirokastër, Shkodër e Tiranë!
Kalendari vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Hollandën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosovën! Fqinj apo miq të largët, në sofrën e dashur shqiptare, ditë e natë, si në shtëpinë tuaj!

Kodi ynë gjenetik na thotë se shtëpia jonë është njëkohësisht edhe e zotit, pavarësisht besimit; edhe e robit – e mikut, pavarësisht prejardhjes, racës dhe ngjyrës; ndaj Shqipëria i do, i promovon manifestimet ndërkulturore dhe e nxit diversitetin!  Jam i lumtur që Ministria e re e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka fatin të materializojë përmes Javëve Kulturore Ndërkombëtare mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për një mision kaq fisnik sa kjo eksperiencë vëllazërimi mes kulturave e traditave të njerëzimit. Një falenderim i veçantë i shkon Bashkisë së Tiranës, por dhe bashkive të tjera që na mikpresin dhe që angazhohemi sëbashku! Mirënjohje trupave diplomatik për investimin në këtë vlerë të shtuar në njohjen mes qytetërimeve tona dhe forcimin e miqësisë mes popujve tanë”,- tha Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?