Vorë/ 12-vjeçarja që kujdeset për familjen që mami të punojë në fasoneri: Ia dal! Të kujdesesh për vëllezërit dhe motrën nuk lodhesh asnjëherë

21 Prill 2020, 13:39| Përditesimi: 21 Prill 2020, 13:54

  • Share

VORË “Entela është një motër e mrekullueshme, është një gocë që falenderoj zotin që ma ka dhënë. Shumë e vogël i ka rënë pesha dhe që në klasë të dytë është bërë prind” , shprehet Shahe Tusha, mamaja e Entelës.

Entela  është vetëm 12 vjeç, shkon në klasën e shtatë, dhe jeta e ka përballur me shumë sfida që në moshë të vogël. Banesa ku jetonte me qira në Vorë, para 26 nëntorit të vitit të kaluar është shkatërruar nga tërmeti, tashmë strehëza e saj është ky pension të moshuarish.

Ajo jeton me nënën, motrën dhe dy vëllezërit më të vegjël, për të cilët është shndërruar në një mama të dytë. Ajo kujdeset çdo ditë për ta, pasi mamaja e saj punon në një fasoneri.

“Kujdesem për motrën dhe vëllezërit. Është paska e vështirë por ia dal, i ushqej rregullisht,  i vesh. Të kujdesesh për vëllezërit dhe për motrën nuk lodhesh asnjëherë”, shprehet Entela.

Entela nuk mundet të ndjekë as mësimet online.

 “Mësueset më marrin në telefon që duhet të bëjë detyrat por nuk i marr dot online sepse nuk i kanë kushtet për ti bërë. Janë munduar ti bëjnë, por nuk e di sa kanë arritur ti kuptojnë”, thotë mamaja e 4 fëmijëve.

Për Shahen, Entela vajza e madhe është mbështetja e vetme që ka në jetë, pa të cilën nuk do mund të mbante punën në fasoneri, e vetmja mundësi për të siguruar të ardhurat për mbijetesë.

 “Kjo është goca e mamit, motra e mamit, gjithçka për mua. I ka rënë pasha më e madhe. Gjithë kohës Entela ku janë kalamajtë, kujdesu për çunat se janë më të vegjël”, shprehet Shahe Tusha për vajzën e saj të madhe.

Shahe ka një merak të madh.

 “Është e vështirë shumë, frika më e madhe janë fëmijët. Janë vetëm, unë duhet të jem në punë patjetër, kam frikë se dalin jashtë. Fëmijët kujdesen për njëri-tjetrin. Entela kujdeset dhe për të tjerët. I kam shumë merak, si çdo nënë për fëmijët e saj”, shprehet Shahe.

Ndërsa Entela, ka vetëm një dëshirë.

“Të më ndihmonin të kisha një shtëpi timen”, thotë ajo. 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?