Theu tersin e Tottenham, 'shi' milionash për Milanin nga biletat! Conte: Fitoren e 'djallit' e vendosi një episod

15 Shkurt 2023, 10:31| Përditesimi: 15 Shkurt 2023, 11:17

  • Share

Tersi është thyer dhe Milan është rikthyer. Kështu mund të përkufizohet ndeshja e parë e fazës së 1/8 të ‘djallit’ kundër Tottenham në San Siro, që u fitua me shifrat minimale 1-0. Goli vendimtar i sfidës u shënua shumë shpejt, pasi në minutën e 7 Brahim Diaz realizoi në tentativën e dytë, duke çuar peshë zemrat e mbi 74 mijë tifozëve në stadium.

Në vijim Milani i Stefano Piolit pati disa mundësi të arta për të dyfishuar por nuk ia arriti. Si përfundim kuqezinjtë morën fitoren e parë në histori kundër Tottenham në Champions League në 5 përballje që kanë patur. Pas 90 minutave trajneri Pioli u shpreh ‘se është një fitore që jep moral dhe se ekipi duhet të vazhdojë të jetë energjik’. Sakaq italini i Tottenham Antonio Conte tha se ‘ndeshja ishte e ekuilibruar dhe se vetëm një episod e vendosi’.

Për t’u theksuar se nga biletat e ndeshjes Milan përfitoi mbi 9 milionë euro të ardhura, duke vendosur një rekord absolut në Itali.

Ndërkohë një hap drejt kualifikimit për në çerekfinale hodhi edhe Bayern Munchen që ia doli të fitonte 0-1 super përballjen e parë kundër Paris SG. Në ‘Parc de Prince’ vulosi goli i një parisieni si Kingsley Coman, i cili zgjodhi të mos festonte ndaj ish-skuadrës.

Për shkak të rasteve të humbura, por edhe për minutat e pakta që kishte si pasojë e dëmtimit, Kylian Mbappe ishte më i mërzituri pas sfidës, por tha se shpreson shumë te përmbysja në ndeshjen e kthimit. Si Bayern-Paris SG ashtu edhe Tottenham-Milan do të luhen më 8 mars.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?