'Shqipëria turistike' Thesaret e Ishmit, me kalanë dhe bazilikën e Gjuriçaj, Kepin e Rodonit dhe Gjirin e Lalzit

13 Gusht 2022, 18:54| Përditesimi: 16 Gusht 2022, 17:25

  • Share

Ishmi ndodhet 50 km larg Durrësit dhe është njësia administrative me relievin më të bukur në Qarkun e Durrësit. Në Ishëm takon detin me plazhet e Gjirit të Lalësit dhe Kepit Rodonit si dhe kodrat e gjelbëruara me një florë dhe faunë mjaft të pasur. Por në këtë njësi administrative ndodhen dhe një numër objektesh historike të një rëndësie të veçantë. Kalaja e Ishmit është njëra prej tyre.

Studiuesi Përparim Taipi tregon se Kalaja e Ishmit i përket shekullit XVI dhe është ndërtuar nga turqit.Ajo ka shërbyer si fortesë dhe vendstrehim për një garnizon me mbi 400 ushtarë.Turqit ruheshin nga sulmet e banorëve vendas, shpjegon studiuesi Taipi.Por ajo lidhej dhe me kalanë e Skënderbeut në Rodon dhe ishte një mbështetje e saj për ndonjë sulm nga deti.

Kalaja ka një perimetër mbi 1500 m2 dhe dy porta hyrëse dhe dalëse. Prej Kalasë së Ishmit kundron Adriatikun, zonat e Shkodrës, Lezhës, Laçit, Krujës,Tiranës e Durrësit. Janë këto ngjyra që kanë frymëzuar edhe të fundin e piktorëve kubistë, Ibrahim Kodrën, i cili ka lindur vetëm pak kilometra më tej, në Likmetaj, një nga 9 fshatrat e zonës. Piktori me famë botërore sot prehet në vendlindjen e tij, pak metra larg kalasë, duke u shndrruar në një vend pelegrinazhi për piktorë, artistë dhe artdashës.

Ka qenë amaneti i tij të prehet në Ishëm- shprehet studiuesi i historisë së Ishmit,Pëllumb Beja, sipas të cilit kubizmi i Kodrës mbështetet tek trekëndëshi. Ky trekëndësh e ka fillesën në Ishëm, vendlindja e ka frymëzuar piktorin e famshëm-shton ai. 45 km larg Tiranës, zona e Ishmit preferohet nga banorët e kryeqytetit kryesisht në fundjava e gjatë sezonit veror. Plazhet e Gjirit të Lalësit dhe Kepit të Rodonit janë ndër më të frekuentuarit. Por kjo njësi administrative e qarkut Durrës është edhe dëshmitare e historisë së lashtë të qytetërimit që prej periudhës ilirie.

Pak më tutje, në lagjen Gjuricaj ndodhet Bazilika Pleokristiane me të njëjtin emër. Kjo Bazilikë është objekt i kategorisë së parë ose të veçantë për nga rëndësia.Gjendej në aksin e rrugës që lidhte Durrësin me Lezhën në lashtësinë e vonë. Bazilika i përket shek V-VI të erës së re.Përfshin një sipërfaqe mbi 1200 m2 prej të cilave 800 m2 ka qenë vetë ndërtesa dhe rreth e përqark ka pasur edhe objekte të tjera zbukuruese.

Këto objekte historike pritet t'i nënshtrohen restaurimit, tregon Kadri Gjyli,administratori i kësaj njësie administrative,  me qëllim që historia të mos qëndrojë më "e fshehur" nga sytë e vizitorëve të shumtë që frekuentojnë shpesh plazhet e lokalet aty pranë. Monumete të trashëgimisë kulturore shtrihen përgjatë gjithë zonës.

Kulla e vjetër në Gjuricaj
Kisha e Shna Nout dhe Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit. Vështirë të gjeni ciceronë që rrëfejnë historinë e tyre, por të apasionurit pas turizmit historik, kulturor dhe natyrës  sapo t'i zbulojnë, do të ndjehen si gjuetarët e thesareve të fshehura.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?