Thahet liqeni i Fierzës, dalin në sipërfaqe shkëmbinjtë! Hidrocentrali me një turbinë, KESH importon energji

16 Tetor 2023, 15:50| Përditesimi: 16 Tetor 2023, 16:02

  • Share

Për shkak të mungesës së reshjeve ka rënë ndjeshëm niveli i ujit në liqenin e Fierzës. Nga pamjet e xhiruara sot në zonën e Bushatit, ujëmbledhësi më i madh në vend tashmë është kthyer në një shkretëtirë dhe është shndërruar në një vijë ku rrjedh Drini i Zi.

Thatësira e madhe ka nxjerrë mbi sipërfaqe dhe masive të shkëmbinjve që dikur ishin të mbuluara ndërsa në shtratin e tij tani kanë mbetur varkat e peshkatarëve.

Kuota aktuale ka zbritur në 267 metra mbi nivelin e detit ndërsa kuota maksimale është 296 metra. Prurjet kanë rënë me 40 metër kub ujë në sekondë dhe aktualisht hidrocentrali i Fierzës punon me një turbinë.  Ndërkohë mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta kanë rikthyer importin e energjisë elektrike.

Gjatë shtatorit dhe tetorit KESH ka nisur blerjet në tregun e lirë për të siguruar furnizimin me energji të vendit në kushtet kur edhe nivelet e Kaskadës janë ulur por edhe optimizmit të prodhimit të saj.

Sipas parashikimeve meteorologjike këtë javë priten reshje shiu çka mund të ndikoj në shtimin e prurjeve dhe si rezultat në rritjen e prodhimit te energjisë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?