Tetori rozë muaji i sensibilizimit, u kryen 11.750 kontrolle! Shefja e Onkologjikut: S’dominojnë më stadet e avancuara, por të hershme

1 Nëntor 2023, 18:13| Përditesimi: 1 Nëntor 2023, 18:26

  • Share

Tetori rozë i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit është mbyllur me 11.750 mamografi të kryera nga gratë dhe vajzat. Shefja e Onkologjisë, Silvana Çeliku në një intervistë për Report TV thotë se ka një rritje me 20% të numrit të rasteve por tashmë nuk dominojnë më pacientët në stade të avancuara.

“Ka një rritje me 20% të numrit të kancerit të gjirit, por kemi parë një ulje të stadeve që prek kjo sëmundje. Tani nuk dominojnë stadet e avancuara, por stadet shumë të hershme. Të gjitha vajzat pas moshës 20 vjeç, duhet të kontrollohen. Të bëjnë mamografi. Të bëjnë të mundur që mos të kalojnë në kancer. 40-70 vjeçare preken më shumë, por as këto mosha të reja nuk përjashtohen. Duhet të shkojmë tek mjeku dhe kur nuk ka shenja. 10 vjeçarin e fundit kemi një shtim. Nëse kemi pasur 500 raste, sot kemi 700-720 raste. Kjo lidhet dhe me ndërgjegjësimin për tu depistuar”, tha shefja e Onkologjikut, Silvana Çeliku.

Mjekja këshillon që kontrollet duhet të bëhen në çdo ditë të vitit madje edhe nga të gjitha vajzat mbi 20 -vjeç.

“Nuk mjafton vetëm muaji tetor, por duhet të rritet ndërgjegjësimi gjatë gjithë vitit. Diagnostikimi i hershëm, shpëton jetë, kursen para”, tha mjekja.   

Përpos qendrave shëndetësore dhe spitale, nga 11.750 kontrolleve të kryera 922 u bënë në njësitë e lëvizshme kryesisht në zonat rurale. Sipas shifrave të ISHP, gjatë vitit 2022, u konstatuan 710 raste të reja me kancer të gjirit.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?