Tërmeti i 26 nëntorit/ Sejko: Pasojat do të ndihen gjatë vitit 2020! Rindërtimi do ndikojë pozitivisht

5 Shkurt 2020, 20:59| Përditesimi: 5 Shkurt 2020, 21:54

  • Share

TIRANE- Goditja që i është shkaktuar ekonomisë se vendit nga tërmeti i 26 nëntorit do të jetë prezent edhe gjatë këtij viti. Në konferencën e parë për vitin 2020 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u shpreh se tërmeti ka pasur efekt ngadalësues në ekonomi por që është i përkohshëm.

“Pasojat e tërmetit pritet të kenë një efekt ngadalësues në rritje dhe në inflacion, por ky ngadalësim pritet të jetë i përkohshëm dhe i përqendruar gjatë vitit 2020”, tha Sejko.

Guvernatori theksoi se dëmtimi i shumë bizneseve nga tërmeti, do të ndikojë negativisht edhe turizmin, por që pritet se rindërtimi do të jap efekt pozitiv në ecurinë ekonomike. 

“Dëmtimi i ambienteve të biznesit, rritja e pasigurisë dhe riorientimi i shpenzimeve drejt riparimit të dëmeve, pritet të materializohen në ngadalësim të prodhimit në disa sektorë, përfshi dhe turizmin. Nga ana tjetër, procesi i rindërtimit pritet të japë një efekt pozitiv në rritje, por ky efekt do të jetë më i vonë në kohë krahasuar me atë të goditjeve negative dhe as mjaftueshmërisht i fortë sa të kompensojë efektet e tyre”, shtoi ndër të tjera Sejko.

Përveç kësaj çështje Sejko pohoi se viti 2019, dhe konkretisht tremujori i fundit shënoi një rritje të kreditimit të ekonomisë. 

“Politika jonë monetare stimuluese, ristrukturimi i sektorit bankar dhe përmirësimi i bilanceve të tij, kanë nxitur një rritje më të shpejtë të kreditimit. Portofoli i kredisë shënoi një rritje mesatare prej 7.8% gjatë tremujorit të katërt, i mbështetur nga zgjerimi i kredisë për biznese dhe i kredisë në lekë”, deklaroi ai.

Pavarësisht luhatjeve ekonomike Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm, të mbetet e pandryshuar norma bazë e interesit në nivelin aktual prej 1.00% si dhe të mbetet e pandryshuara norma e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?