Deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi

Tensionet në veri të Kosovës/ Deputeti shqiptar në Kuvendin serb: Beogradi ka ndërhyrë dhunshëm! Vetëm SHBA mund ta zgjidhë situatën e krijuar

25 Dhjetor 2022, 10:02| Përditesimi: 25 Dhjetor 2022, 10:04

  • Share

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka deklaruar se situata në veri të Kosovës lidhej me një ndërhyrje të vrazhdë nga Beogradi te serbët lokalë. Ai tha se nuk ka asnjë shans që kërkesa e Aleksandër Vuçiç për kthimin e trupave serbe në Kosovë, të miratohet. Më tej Kamberi shtoi se presidenti serb po e përdorte këtë vetëm për politikë të brendshme.

“Ajo çfarë po ndodhë në veri të vendit, më mirë se asnjëherë deri më tash po dëshmon ndërhyrjen e Serbisë nga jashtë. Është pozitive në këtë kaos që po bëhet atje, të shihet fakti se përfundimisht ka serbë lokal të cilët po flasin me zë hapur për një ndërhyrje të vrazhdë të Beogradit dhe për një mafi politike, e cila po i terrorizon edhe vet serbët atje. Një mafi politike përmes së cilës po tentohet të destabilizohet Kosova, të destabilizohet rajoni në tërësi.

Pra, kjo është inkurajuese dhe Prishtina duhet të përdor këto mekanizma. Duhet të përdor ata serbë të cilët vërtetë janë të interesuar që të jenë të integruar në Republikën e Kosovës, të jenë qytetarë të barabartë dhe të kenë të drejta dhe natyrisht komunikimi i drejtpërdrejt me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që t’i vihet fundi dhe kapaku kësaj çështje”, deklaroi Kamberi për mediat e Kosovës.

Deputeti akuzoi Serbinë për zjarrvënie dhe ndezje të tensioneve në Ballkan ndërsa tha se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të zgjidhnin situatën e krijuar në veri të Kosovës.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?