Charles Michel

BE mbështet idenë e Ramës për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, Michel: Duhet organizuar sa më parë

29 Qershor 2023, 13:43| Përditesimi: 29 Qershor 2023, 17:14

  • Share

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, mbështeti idenë e kryeministri Edi Rama për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre. Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së, që zhvillon punimet sot dhe nesër në Bruksel.

"Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë - së bashku me disa shtete anëtare të BE-së", tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.

"Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit (të marrëdhënieve Kosovë-Serbi), tha Michel, shkruan Rel.

"Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor", shtoi ai.

Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kreu i qeverisë Edi Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin. Kreu i qeverisë shqiptarë u shpreh se është koha që të zhvillohet një konferencë e nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetje të BE-së dhe SHBA-së, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.

‘Është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.’- tha Rama.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?