'Tenis' në shtesë, trajneri i Erzenit kapet me arbitrin: Nuk e preferojnë kurrë në Superligë! Fagu: Uroj që kualifikimi të na kthehet në forcë Tiranës

7 Mars, 10:54| Përditesimi: 7 Mars, 17:40

  • Share

Me shifrat tenistike 6-1 e fitoi Vllaznia çerekfinalen e kthimit kundër Erzenit, por për të eliminuar shijakasit iu desh të kalonte në shtesë. Kjo sepse 90 minutat në Loro Boriçi u mbyllën 2-1 në favor të shkodranëve, aq sa ç’fitoi Erzeni në ndeshjen e parë. Gjithsesi duke qenë me një lojtar më pak, shijakasit nuk patën më energji në shtesë, atje ku Vllaznia realizoi 4 herë.

“Më e vështirë sesa pritshim ne, por gjithsesi jemi në gjysmëfinalen e Kupës dhe ky fakt na gëzon,”-u shpreh Qatip Osmani, trajner i Vllaznisë.

Te Erzeni nuk kishte pengje pas eliminimit, duke iu referuar kundërshtarit, por pati shumë kontestime për arbitrin që i nxorri kartonin e kuq Atandës që në minutën e 40.

“Luajtëm ndaj një kundërshtari më në formë të momentit. Dihet cilësia dhe çfarë po tregon Vllaznia dhe entuziazmi që ato kan. Kan bërë fitore rresht dhe ne i kishim marrë masat, por mendoj që ky arbitër nuk ka arbitruar asnjë ndeshje në 24-25 javë në Superligë,”-tha Alfred Deliallisi, trajner i Erzenit.

Më herët Tirana eliminoi Teutën me penallti, pasi dy sfidat, vajtje dhe ardhje, u mbyllën me shifrat 1-1.

“Vijmë nga një moment jo i mirë në kampionat dhe një kualifikim i tillë me mund, me sakrifica i bën mirë ekipit nga ana psikologjike. Tani duhet të shohim ndeshjet e kampionatit sepse edhe ato kanë rëndësinë e tyre,”-deklaroi Erbim Fagu, trajner i Tiranës.

“Të vjen shumë keq, shumë keq sepse e kishim lojën në dorë. Luajtëm më mirë se Tirana në 90 minuta lojë. Kishim raste për ta mbyllur ndeshjen në 2-0 dhe kur e han atë gol në sekondat e fundit nga mungesa e përqëndrimit të vjen shumë keq. Penalltitë janë çështje fati por më vjen keq për djemtë sepse e merituan fitoren,”-tha Edi Martini, trajner i Teutës.

Tirana dhe Vllaznia i bashkohen Egnatias dhe Kukësit, dy skuadra të kualifikuara më herët në gjysmëfinale të Kupës. Shorti për këtë fazë do hidhet javën e ardhshme, ndërsa ashtu si çerekfinalet do luhet me sistem vajtje-ardhje.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?