Teatër, kthehet “Shuster”
doktori që u bë këpuca

19 Tetor 2012, 13:24| Përditesimi:

  • Share
Pas interpretimit të Drita Pelinkut në skenën e Teatrit Kombëtar është radha e një tjetër aktori, performanca e të cilit nuk duhet humbur, sidomos nëse nuk keni arritur ta ndiqni gjatë sezonit të kaluar. Është fjala për mjeshtrin Robert Ndrenika i cili rivjen me kostumin e "Doktor Shuster"-it, komedisë së Kovacevic që vjen në skenë me regji të Spiro Dunit.

Doktori Shuster (Robert Ndrenika) dikur ishte një mjek i diplomuar në Vjenë, një kirurg i shkëlqyer, i aftë në profesion. Por vitet e bukura të rinisë dhe të suksesit në karrierë kanë mbetur pas. Doktori në vend të zemrave, ndreq këpucë. I është rikthyer dhuntisë së tij të vjetër, atij zanati prej të cilit ishte rrekur një jetë të tërë që të largohej. fillimisht duke kryer studimet jashtë vendit dhe pastaj duke mohuar këshillën e të atit për tu bërë zot i dyqanit të tij. Por jeta qenka e tillë, plot gabime, sic thotë vetë doktor Shuster, ndëshkimtare e ashpër.

Koha e solli që Shuster të flakej nga spitali si një qen dhe pas një përvoje të gjatë pune dhe për më tepër I "fali" edhe sklerozën. Nuk kujdeset shumë për të, Ana (Olta Gixhari) vajza e tij nga një marrëdhënie jashtëmartesore. Mes tyre hyn edhe një kriminel (Artan Imami) të cilit doktor Shuster i ka shpëtuar jetën. Dashurinë pranë Shusterit, e sjell motra e tij Divna, (Flaura Kureta) me të cilën udhëtojnë shpesh nëpër shiritin e dëmtuar të kujtimeve. Edhe ajo një sklerotike, e vrarë nga vdekja e të dashurit të saj, dy vjet më parë. Sergei i saj është një kënëgëtar lirik që vjen dhe zhduket vazhdimisht, natyrisht në një realitet sklerotikësh.

Por Divna është krahu i djathtë i Shusterit, gruaja e fortë që shikon të vëllanë teksa përlotet dhe i jep arsye për të ndalur lotët. Shfaqja mbart linja mes dhimbjes, krimit dhe dashurisë .Të qeshurat e forta shoqërojnë batuta dhe dialogje të tëra. Kryesojnë doktori, motra, dhe thuajse si loloja në shfaqjet mbretërore, këngëtari i operas. Sklerotizmi që ka pushtuar motër e vëlla, jep dorë për humorin, për kalimet në kohë, të cilat rëndom janë ndërtuar mbi vlerën e befasisë. Cilësimi që në poster i shfaqjes si një komedi e trishtë, synon të ngrejë një shfaqje të dyzuar në gjini, një shkartisje të huazuar nga kinemaja, që ia del mbanë edhe në realizmin skenik të veprës.

Monologu i këpucarit që pohon se nuk di të bëjë asgjë, është moment i kthjelltësisë së një njeriu që kupton se është i pafuqishëm, dhe se vërtet është katandisur si mos më keq prej pleqërisë dhe sklerozës. Mirazhet e tjera që pësojnë motër e vëlla mbajnë peshën e ngjyrimit të trishtë të komedisë.

marrë nga suplementi Fundjava, Shqiptarja.com datë 19 tetor

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?