Të shpifur në Demokraci

25 Janar 2017, 18:09
  • Share
Duke parë filmin "Labirinti i heshtjes", ku regjisori italo-gjerman Giulio Ricciarelli tregon historinë e Kryeprokurorit të Gjermanisë Federale Fritz Bauer, i cili kundër politikës e kundër opinionit të përgjithshëm hetoi dhe procesoi kriminelë nazistë të Auschwitzit, u përpoqa të sillja në mendje qoftë edhe një figurë të tillë, të vetme,  në Shqipërinë e post Diktaturës. Nuk më erdhi në mendje asnjë: As një Kryeprokuror i mençur, i moshuar, i matur, i drejtë e i vërtetë, as ndonjë prokuror i ri, nga ata me një vështrim të pastër e të etëur për të vërtetën e të drejtën, i përkushtuar për më të mirën për vendin e vet, sado e hidhur dhe e rëndë për t'u përballur.

Ata që më vijnë në mëndje këtu, në shumicën e rasteve janë disa figura të dyshimta si institucionale ashtu dhe të shoqërisë civile: Njerëz që erdhën në Demokraci nga Diktatura e që mbartën me vete veset më të shpifura të asaj kohe frike, e mungese lirie. E çuditshme. Si ndodhi që nga e kaluara shtypëse dhe unikale shqiptare nuk doli as edhe një grimcë shqiptari që të kërkonte e të pretendonte Drejtësinë për viktimat dhe Gjykimin për vrasësit e kriminelët.

Pas Demokracisë plluskuan me shumicë figura ngatërresëtare; ata që dëshirën më të madhe dhe misionin numër 1 e kishin atë të përzierjes dhe të hedhjes së tymit në mendjet e shqiptarëve, në këtë mënyrë, për shumë vite askush nuk pa mirë e askush nuk kuptoi se kush ishin xhelatët për shqiptarët, e kush viktimat.

Pasioni i tymnajës vazhdon edhe tani. E sheh se sa me pasion ushtrojnë disa individë nëpër pushtetet kryesore si Politika, Gjyqësori dhe Media. Sidomos në këtë të fundit, e cila mendohet më e lira dhe mëndjehapura, e cila në dukje nuk detyron askënd të ketë rreshtim formal (ndryshe nga politika, gjyqësori) sheh individë që edhe pse me asnjë detyrim apo shtrëngim të kohës së Diktaturës, bëhen servilë e mbulues të së vërtetës në Demokraci. Këta nuk u shërbejnë më Diktatorit, por mjafton paguesit të radhës që mund të jetë trafikant, kontrabandist, evazor, ndërtues pallatesh me ashensorë që digjen apo me parkingje të kthyera në kafe.

A ka veprime më të ulëta se ato të një individi, gjykatësi, prokurori a gazetari, i cili duhet të gënjejë manipulojë në Demokraci? Ishte e turpshme, aspak dinjitoze edhe për ata që këto gjëra i bënin nën dhunën dhe në kohën e Diktaturës, ndërsa shumë bashkëatdhetarë tanë, përditë, i bëjnë në Demokraci.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?