Të rinjtë po braktisin gjimnazin, 7.4% më pak në 2022! Ulet numri i të diplomuarve në të gjitha nivelet arsimore! ‘Bujqësia’ nuk pëlqehet, preferohet biznesi

24 Maj 2023, 16:41| Përditesimi: 24 Maj 2023, 19:27

  • Share

Nga viti në vit në bankat e gjimnazeve ka më pak nxënës. Arsimi i mesëm po braktiset nga të rinjtë të cilët ose zgjedhin të punojnë në moshë të hershme ose emigrojnë.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin shkollor 2022-2023, 7.4% e nxënësve krahasuar me vitin e kaluar shkollor nuk kanë vazhduar arsimin e mesëm. Numri total I regjistrimeve në gjimnaz ishte 95.845 nxënës.

Rënia e ndjeshme e numrit të lindjeve dhe shpopullimi kanë dhënë efektet e tyre  në regjistrimet e arsimit bazë.

Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 69.750 fëmijë, 3,6 % më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 267.275 nxënës, krahasuar me vitin shkollor 2021-22, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 3,9 % më pak nxënës.

Edhe studentët e diplomuar kanë qenë më të pakët. Në vitin shkollor 2021-22, u diplomuan në arsimin zyrtar 90.324 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 5,9 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Ulje në numrin e të diplomuarve kanë patur të gjithë nivelet arsimore, 9 vjeçar, i mesëm dhe i lartë.

Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 71.192 studentë duke shënuar një ulje prej 2,3 %, krahasuar me 2021-22. Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 74,9 % të numrit total të studentëve.

Dega më e preferuar e studimit është “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve. Ndërsa fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,6 % e numrit gjithsej të studentëve.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?