Të rindërtuara me financimin e Kroacisë pas tërmetit, ministri i Jashtëm kroat viziton shkollën dhe kopshtin ‘Iliria’ në Fushë-Krujë

18 Prill 2023, 22:56
  • Share

Ministri për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, vizitoi shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin "Iliria" në Fushë-Krujë, rindërtuar tërësisht nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me një financim prej 1 milion Euro nga Qeveria e Kroacisë. Shkolla dhe kopshti janë dëmtuar rëndë nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë në vitin 2019-të.

Shkolla dhe kopshti i shërbejnë 156 nxënësve dhe kanë në përbërje 14 punonjës mësimor.

Përgjatë vizitës, Ministri për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Kroacisë ndërveproi me fëmijët dhe mësuesit rreth mundësive të reja të mësimnxënies dhe mësimdhënies që tashmë shkolla dhe kopshti i ri ofrojnë.

"Kjo shkollë nuk është vetëm një ndërtesë, por është njëkohësisht simbol i shpresës dhe qëndrueshmërisë. Të gjithë kujtojmë tërmetin shkatërrues që goditi Shqipërinë në Nëntor të 2019-tës, duke shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe humbje jete. Sot ne jemi të kënaqur që kemi qenë në gjendje të luajmë një rol në përpjekjet e rindërtimit përmes projektit tonë më të madh të bashkëpunimit dypalësh për zhvillim deri më sot".

E pranishme ishte edhe përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino.

"Shkolla dhe Kopshti "Iliria" përfaqësojnë shpresë, qëndrueshmëri dhe progres për komunitetin. Jemi mirënjohës ndaj kësaj mbështetjeje strategjike të Qeverisë Kroate, e cila na ka ndihmuar të ndërtojmë një objekt arsimor të qëndrueshëm dhe me aksesueshmëri të lartë për fëmijët dhe komunitetin e Fushë-Krujës".

Mbështetja e Qeverisë Kroate në rindërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit "Iliria" reflekton rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndihmuar vendet në menaxhimin e fatkeqësive natyrore.


Lajmi kryesor:

Ministri i Jashtëm kroat, vizitë në Tiranë, Xhaçka: Diskutuam për takimin e parë të përbashkët të 2 qeverive! Begaj: Shembull për procesin e integrimit


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?