Çifti Meta-Kryemadhi

Të padenjët që mbajtëm në shpinë

17 Prill, 19:36| Përditesimi: 17 Prill, 19:39

  • Share

Ka patur shumë të tillë, por në dekadat e fundit spikatin çifti Meta. Në kohën kur Iliri u bë faktor politik, në Shqipëri kish ndodhur e po ndodhnin ndryshime thelbësore në sistemin politik, në atë ekonomik dhe shoqëror. Te kjo e fundit, madje piramida e vlerave ishte përmbysur kokëposhtë. Djaloshi, që rasti e solli të ndodhej në takimin që Ramiz Alia pati me të rinjtë e Universitetit të Tiranës, pas pak kohe u vu në krye të organizatës rinore të Partisë Socialiste. Shkollën në ato vite “e kish marrë lumi” dhe dipllomimi i Ilirit student dhe atij brezi, nuk gaboj po të përmend se përgjithësisht ishte formal, rrjedhë e arsimimit në kohë kaosi. Ilirit nuk kish pse i kërkohej të shquhej për inteligjencë të spikatur, kur i afroheshin poste, por mjaftonte vrulli rinor, të cilin e kish me tepri.

Mbi Partinë Socialiste atëbotë rëndonte pesha e përherëshme e akuzës se ishin trashëgimtarë të Partisë së Punës. I ngrati Fatos Nano ishte orvatur përmes elokuencës që zotëronte t’i shpjegonte rrethit politik shqiptar se “Vetëm budallai dhe i vdekuri nuk ndryshojnë mendim!”, por pa bindur dot Partinë Demokratike, që vetë, pas shfaqjes të “karrige thyerve” mocionistë, ishte në proces shndërrimi grupi klanor.

Në pakujdesinë e përpëlitjeve e gjetën zgjidhjen për të shkarkuar akuzën përmes sjelljes në udhëheqjen e Partisë Socialiste dhe organeve të larta të shtetit (kur fituan zgjedhjet) të rinisë socialiste. Fillimisht Pandeli Majkon e më pas Ilir Metën. Kjo ishte vlera e vetme, qenja në drejtim të organizatës rinore, pse ky individ i pa përmbushur në çdo aspekt, pa përvojë jete, pa përvojë pune, pa asnjë eksperiencë jetësore, pa njohje të kulurës së drejtimit, u ngjit në majat e pushtetit.

Populli shqiptar kish të drejtë të ndjehej i fyer pse ndodhte kështu? Por nuk u ndje, në kushtet kur shteti i dështuar, gremina ku Sali Berisha e hodhi, duhej të ringrihej. Faktikisht u ndje i fyer veçse pak kohë më pas, kur Ilirit ju dha pushtet që buronte nga marrëveshja që i afroi Edi Rama. Ishte kryetari i Partisë Socialiste që i dha postin e presidentit. Shumëkush me mendjen në kokë e cilësoi këtë marrëveshje të turpshme, por pas tre ditësh e deri në largimin nga kjo detyrë, akti i paprecedentë i besimit që ju dha “Kancerit politik të Shqipërisë”, ngeli thjesht i trajtuar si aksident. Dhe Edi Rama ja pa mirë sherrin Ilir Metës e postit të tij të presidentit!

Lidershipit, cilësim që automatikisht i vishet kryeministrit, i nevojiten disa aftësi. para së gjithash idetë (nëse ke) dhe mënyrë komunikimi që mundësisht të jetë tërheqëse dhe bindëse, çka Meta nuk e zotëroi kurrë. Provoi t’i përvetësoj këto cilësi kur u nda nga e majta socialiste dhe krijoi “të majtën” Lëvizje Socialiste për Integrim. Aftësitë dhe personalitetin për ta patur partinë një pikë referimi e mbështeti te një parrullë që e kish përdorur Partia Naziste Gjermane (dyshoj se nuk e dinte) në fillim të vitet ’30, “Partia që të punëson”. Si shef partie, këtë parrullë e vendosi në bazë e themel të stilit dhe qasjes së tij,

Në fokus të praktikimit “të punësimit” u vendosën dhe marrëdhënjet e koalicionit me Berishën, pasi partia e tij kish fituar tre deputetë. E solli Berishën përsëri në pushtet pasi i mori me marrëveshje 20 përqind të administratës, dmth rreth 20 mijë vende pune që do merrnin emërim përmes Ilirit dhe Monikës. Te 20 përqindëshi llokmat e LSI-së ishin ato ku lëvizte paraja dhe nga kjo para, arka LSI do dëndej parreshtur prej sasive të vjedhura nga pasuria publike. “Kanceri i Shqipërisë” e quajti një ekonomist i shquar shqiptar partinë e tij. “Ndihma për LSI” (kupto: portofolin e familjes) ishte çfarë i kërkohej të emëruarit prej tyre.

Për të dyshuarit e grupimit që ai e quante parti, nuk ja përtonte të përdorte, siç rëndom shfaqet te ordinerët, gjuhën e trupit, dhjamin e tepërt e muskujt. E përdori me ish zëvendësin e tij Rama, të cilin e flaku tej, pasi e përdori sa deshi për interesat e tij. Këtë po bën prej ditësh me disa të tjerë zëvendësa, të cilët, njëri pas tjetrit, po i heq nga Partia e Lirisë.

“Partia e Lirisë”…pëfff, sa qesharake! Po ç’ liri mbron t’i, o ditëzi? Ke patur emrin Lëvizje Socialiste për Integrim, ja ndryshove emrin në Partia e Lirisë, por të gjithë e dinë se sa qesharakë jeni kur e quani veten parti, kur gruaja zëvendëson burrin; kur nuk vonon të vijë prapë burri në krye, e pas ca kohe, ta përjashtojë edhe atë nga partia…për “Nepotizëm”? Sa qesharakë që janë, o Zot na ruaj!

Gjuhës së trupit, atij të fortit të lagjes, me demonstrime gjimnastikore hekuri, ka ditë që i ka shtuar edhe gjuhën e rrugaçërisë, të cilën e përdor “pa kandar” ndaj organeve të Prokurorisë Speciale, SPAK-ut dhe drejtuesit të saj, z. Dumani. Askush nuk dyshon se është gjuhë e njeriut të trembur!

I trëmbet akuzës së aferës CEZ-DIA (e jo vetëm) ai që nuk ka ndërgjegjen e pastër. Një ndërgjegje të pastër nuk ka akuzë që ta trembi. I frikësuar e me krenari të përdhosur, Meta nuk po është më në gjendje të kontrollojë veteveten. Çdo fyerje e tij ndaj Dumanit përbën vepër penale, gjë të cilën mbase ai e bën qëllimisht, në mënyrë që nesër, i ndodhur para akuzave, të mbrohet, duke cilësuar veprimet si hakmarrje!

“Ndiq paranë” prokurori! Mjafton kaq të bësh dhe i ke kapur këta delenxhinj, që politika foshnjore shqiptare na i ngarkoi t’i mbajmë në kurriz vite e vite të tëra.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?