'Të ndarë por...', Ramën dhe Kurtin i bashkon Bled, të dy folës në panelet e forumit dy ditor të Sllovenisë

20 Gusht 2023, 10:29| Përditesimi: 20 Gusht 2023, 15:29

  • Share

Në një mardhenie të tensionuar, Edi Rama dhe Albin Kurti do të jenë të dy folës në panelet e forumit dy ditor të Sllovenisë në qytezën turistike pranë liqenit të Bledit në fund të muajit. Në këtë forum, pritet dhe një takim i munguar kohët e fundit mes dy kryeministrave.

Në Bled veç Ramës e Kurtit  do të jetë edhe Presidenti serb Vuçiç, kryeministri maqedonas Kovaçevski si dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel. Çështjet e sigurisë dhe anëtarësimi në BE, janë dy nga cështjet kresore.

Albin Kurti nisi të mbajë qendrim ndaj Ramës, kur ky i fundit kritikoi qeverinë e Prishtinës për mosmenaxhimin si duhet të situatës me serbët në veri pas zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat serbe që sollën ndërprerjen e dialogut me Beogradin dhe më pas sanksione nga BE e SHBA. Ky moment u pasua, me një tjetër, atë kur Rama dërgoi në Berlin dhe Paris draftin për shtensionimin e situatës në veri, duke mos u konsultuar më parë më palën kosovare.  

Më 6 korrik 2023 kur Rama shkoi në Prishtinë si pjesë e turit të tij ballkanik kushtuar përgatitjeve për takimin e Tetorit në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit ai u prit vetëm nga Presidentja Osmani dhe nga kryeparlamentari Konjufca. Atëkohë Kurti kushtëzoi takimin me kryeministrin Edi Rama me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Kurti e konsideroi si të paarsyeshëm vendimin e Ramës për të anuluar mbledhjen e dy qeverive parashikuar më 14 qershor në Gjakovë. Ai u shpreh se do të mirëpriste Ramën që të zhvillonin mbledhjen nderqeveritare ku të firmosnin 13 marrëveshjet e përbashkëta për të cilat ishin dakordësuar më parë. Rama nga ana e tij, në vazhdimësi është shprehur për Kurtin, si një politikan kokëfortë, dhe kryeministër, që largon miqtë e Kosovës. 

Më 17 Korrik Kurti e refuzoi për herë të dytë takimin me Ramën kur ky i fundit mblodhi në një takim informal krerët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Kurti u shfaq atë ditë në Kretë të Greqisë, në një takim shoqatash. Kohët e fundit disa takime në Prishtinë i ka emërtuar publikisht si ‘Ballkoni i Hapur’, si një ironi me iniciativën rajonale të Ramës- Ballkani i Hapur, të cilin Kurti e ka kritikuar në vazhdimësi.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?