Të mësojmë si vallëzohet me shiun! Artistët shpresëdhënës me mesazhet e tyre: Qëndrimi në shtëpi sfidë, por do ia dalim!

31 Mars 2020, 10:37| Përditesimi: 31 Mars 2020, 14:43

  • Share

Kur kemi hyrë në javën e katërt të betejës me koronavirus, Artistë, njerëz të njohur por edhe njerëz të thjeshtë janë bërë bashkë me mesazhet e tyre sensibilizuese dhe shpresëdhënëse për shqiptarët.

Thirrjes së tyre për të qëndruar në shtëpi, ata i kanë ‘bashkangjitur', këshilla, ide për të kaluar ditë të këndshme dhe pa ngarkesa emocionale negative duke hapur dyert e shtëpive dhe zemrave të tyre për të treguar edhe si po e kalojnë vetë karantinimin.

Ora 18:58
Callas, Chanel, Monroe... Arlinda Dudaj: Lexoni për gratë që sollën revolucion! (VIDEO)

Në një video selfie, botuesja Arlinda Dudaj rekomandon disa libra që mund të lexoni gjatë ditëve të karantinës. 

Dudaj sugjeron të mos lini pa lexuar triologjinë e tri grave të famshme, emrat e të cilave janë gdhendur në historinë e grave të suksesshme: Romanet- biografi që shkrimtari Alfonso Signorini ka shkruar për Maria Callas ( Tepër krenare, tepër e brishtë), Coco Chanel ( Një jetë si në përrallë), gruas e cila revolucionarizoi femrën nëpërmjet veshjes dhe gruas simbol të bukurisë, Marilyn Monroe (Të jetosh e të vdesësh për dashurinë). 

 

Ora 18:36
Drithëruese! Devis Xherahu interpreton me flaut 'Himnin e Flamurit '(VIDEO)

Një interpretim drithërues ka qenë ai i këngëtarit Devis Xherahu, i cili nga shtëpia e tij ka sjellë Himnin e Flamurit me flaut. 

Një melodi që të qetëson shpirtin e duket sikur është ilaçi i ditëve në vetëizolim. 

'Një mesazh sensibilizimi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Shumë shpëjt do dalim nga kjo gjendje", shprehet Devis Xherahu. 

Ora 15:34
Aktori i njohur Vasjan Lami ‘thur’ vargje për ‘Karantinën’ (VIDEO)

Aktori i njohur, Vasjan Lamaj, shkruan një monolog të ndjerë për ditët e tij të izolimit në shtëpi. Monologu i tij mbi “Karantinën”  është një reflektim që çdo njeri duhet ta bëjë në këto momente të vështira për jetën, për vete edhe gjithçka që na rrethon.

“Karantina”

Nuk mund ta besoja,
nëse do të më thonin dikur,
se do të binte një epidemi,
që gjithë njerëzimin do ta mbyllte në shtëpi.
Se do të ish aq e frikshme,
sa dhe emrin do e ndërronte rrugës,
nga Epidemi, në Pandemi.
Pallate të heshtura.
Rrugë të braktisura, si mbas kortezheve,
cicërima zogjsh të harruar,
Guguftu që qajnë heshtjen
Ndonjë çjerrje makine hallemadhe
Dikush që lëviz cepave, kuturu
Në ballkon, trishtim dhe tym duhani gjithashtu.
Qentë e rrugëve lodhen se nuk kanë ç’të hanë.
Duket sikur edhe njerëzit po krijojnë Mutacione.
Një jetë e këputur me gërshërë, fare pa pritur.
Vakum…
Vakum ne ëndrra.
Vakum mes njerëzish.
Vakum te e nesërmja.
Globi rrotullohet pa zhurmë.
Një heshtje e kobshme, paralajmëruese.

Njeriu i fortë, çudibërës, i plotfuqishëm, i vetëkënaqur,
i mundur nga një Virus.
Nuk e dija, nuk e shoh, se po ta dija, dija unë ç’ti bëja.

Bëja pra !
Sillu tani në kafaz, siç i ke bërë kafshëve dje !
Kafsho hekurat !
Bëj sherr, e lëpiu me të tutë!
Analizo ç’ke bërë mirë a keq, deri tani.
E kupton që nuk do të jetosh aq gjatë sa mendoje?
Të vjen keq që je lodhur dhe je bërë pis për vogëlima?
Që nuk ke thënë sa herë e ke ndjerë; “Të dua. Më pëlqen” ?
Që fjalën e fundit e thoje të parën, se të pëlqente vetja?
Që nuk e ke parë edhe tjetrin siç shihje veten?
Doje veten më shumë se çdo gjë?
Rri vetëm atëherë!
Shijoi virtualisht të gjitha bëmat e tua!
Sa je lodhur, i ziu ti!
Shikon tjetrin që ikën fare lehtë, e trembesh për veten.
Sepse nuk besoje që mund të ndodhte edhe kështu!
Dhe ndjehesh komplet i pafuqishëm, për të djeshmen dhe të nesërmen!
Ah ta kisha ditur, thua...
Çfarë do të bëje?

 

Ora 14:29
Aktori Romeo Veshaj imiton kryeministrin Edi Rama, në telefon me qytetarin

Aktori Romeo Veshaj përmes një videomesazhi që ka realizuar në rrjete sociale imiton kryeministrin Edi Rama. Ai telefonon një qytetar nga Vlora, i cili pa e ditur se kush është pranon se ka thyer rregullat.

Ora 13:45
“O sa i bukur muaji i majit”, këngëtarja këndon nga shtëpia, Festina Mejzini: Të gjithë bashkë do t’ia dalim!

Këngëtarja Festina Mejzini nga Kosova rrëfen ditët e saj të vetizolimit në shtëpi gjatë kësaj periudhe. Artistja ka zgjedhur për të interpretuar këngën “Sa i bukur muaji i majit”, duke uruar që ky muaj të jetë i tillë për të gjithë

Ora 13:43
Aktorja Jorida Meta rrëfen për fëmijët përrallën “Tre derrkucët e vegjël”

Aktorja e Teatrit të Kukullave Jorida Meta përmes përrallës “Tre derrkucët e vegjë” bën apel që të qëndrojmë në shtëpi këtë periudhë, që të jemi bashkë sa më shpejt.

Ora 13:36
Aktori citon Dostojevskin “Sa më e thellë dhimbja, aq më pranë shpresa” Xhino Musollari: Zbatoni rregullat

Aktori Xhino Musollari përmes një videomesazhi bën apel për të gjithë shqiptarët, që të qëndrojnë në shtëpi këtë periudhë, sepse nuk kanë në duar vetëm jetën e tyre, por edhe të njerëzve përreth. Ndërsa, uron që pasi të përfundojë e gjithë kjo, njerëzit të reflektojnë për të qenë njerëz më të mirë.

“Gjatë këtyre ditëve të vetizolimit kam arritur në përfundim, që e vetmja gjë që ka vlerë, por që nuk ka çmim është koha. Rutina e përditshme, shpeshherë vjedh kohë nga ambienti familjar edhe nga vatra e ngrohtë familjare, prandaj sugjeroj që këto ditë t’i shikojmë si një bekim edhe këtë kohë të vjedhur t’ia rikthejmë sërisht familjes sonë”, thotë aktori, duke shtuar që të kalojmë më shumë kohë më gjyshërit, prindërit dhe të afërmit e tjerë.

“Është shumë e rëndësishme për çdo qytetar që të zbatojë me rigorozitet rregulluat për mospërhapjen e këtij virusi të ri. Secili prej nesh s’ka në dorë vetëm shëndetin vetjak, por edhe të dikujt tjetër. Le të përfitojmë nga kjo edhe të tregojmë vlerat humane që na karakterizojnë. Është shumë më e thjeshtë të parandalojmë se të ndalojmë”,  vijon artisti, i cili sugjeron që në këto ditë të vështira, lëngate globale, secili prej nesh të bëjë lutje ndaj Zotit për më shumë forcë, durim dhe kurajë.

“Le të shërbejë e gjithë kjo periudhë për veten tonë, sepse një ditë e gjithë kjo do të mbarë, por në momentin që kjo të ketë mbaruar ne do të nxjerrim mësime të thella, që nesër të dimë të jemi njerëz më të mirë, të dimë të falim, të themi faleminderit, të tolerojmë më tepër edhe të jemi më zemërmirë.

Së fundmi, do të doja që ta mbyllja me një shprehje të autorit tim të preferuar, Fjodor Dostojevskit, “Sa më errët të jetë nata, aq më të shndritshëm janë yjet. Edhe sa më e thellë të jetë dhimbja, aq më pranë është Zoti, aq më pranë është shpresa”, përfundon artisti.

Ora 13:31
Vajza e “Xha Beqos” luan në piano Himnin tonë Kombëtar edhe të Italisë, artistja: Faleminderit Edi Rama, dhe një shembull në tërë botën!

Pianistja Aksinja Xhoja, vajza e dy artistëve të njohur, Meropi dhe Nikolin Xhoja, nga Italia përmes një videomesazhi për “ReportTV”, shpreh falënderimet e saj për kryeministrin Edi Rama, dhe luan në piano Himnin shqiptar dhe italian.

"Ndihem krenare, shumë më tepër krenare që jam shqiptare, sepse ai gjest shumë i rëndësishëm i kryeministrit tonë, Edi Rama, na bëri që të ngremë kokën lartë dhe të ndihemi, si gjithmonë krenarë që jemi shqiptarë, sepse edhe përse janë pak e nuk janë shumë 30 doktorë edhe infermierë, gjesti është shumë, shumë domethënës. Tregon që ne shqiptarët, kemi qenë paqësor edhe kemi shkuar në vendet e tjera, vetëm kur na kanë kërkuar ndihmë. Ne nuk kemi qenë asnjëherë me luftën, nuk i kemi bërë luftë asnjëherë askujt në botë. Jemi krenarë për këtë, dhe duhet ta duam më shumë njëri-tjetrin, të respektojmë njëri-tjetrin. Respekti im është maksimal për zoti Edi Ramën. Faleminderit Edi, që në një moment kaq të vështirë, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë botën, ti erdhe edhe dhe një  shembull, të gjithë Europës edhe jo vetëm, se si duhet të jenë në të vërtetë kryeministrat dhe të gjithë politikanët, sepse politikanët duhet të shohin interesat e popullit të tyre. Edhe ti këtë e tregove me shumë zgjuarsi, faleminderit Edi! Për të gjithë shqiptarët do të luaj Himnin e Flamurit", shprehet pianistja Aksinja Xhoja.

Pianistja luan në piano edhe Himnin Italian, duke u shprehur se: “Përshëndetje Itali dhe italianë, kudo që gjendeni nëpër botë. Ju dedikoj Himnin e Italisë. Zemra dhe mendja e ne, shqiptarëve është me ju në këto momente. Ju kemi në zemër, ju kemi dashur gjithmonë, edhe do t’ua dalim të bashkuar. Të bashkuar nga miqësia e dy popujve që janë dashur gjithmonë ndër shekuj”.

 

Ora 12:19
'Hapja e librarive lajm i mirë!' Mirela Kumbaro lexon poezinë e Dritëro Agollit, 'Macja e apartamentit'

'Ndryshimi i listave të subjekteve që do të kenë të drejtë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre ku përfshihen dhe libraritë e kancelaritë është një lajm i mirë për të gjithë ata që duan ta pasurojnë bibliotekën e tyre me tituj të rinj.'

Ky është mesazhi i Mirela Kumbaros, e cila nëpërmjet një video mesazhi është shprehur se tani do të kemi më shumë mundësi që të blejmë libra te rinj për të lexuar gjatë këtyre ditëve që na duhet të qëndrojmë në shtëpi. 

Ish ministrja e Kulturës gjithashtu ka sjellë edhe poezinë e Dritëro Agollit, "Macja e Apartamentit" për të gjithë fëmijët. 

Ora 12:09
Dua Lipa performon nga shtëpia: Dashuri, nga shtëpitë tona, drejt tuajave!

Dua Lipa ka performuar së bashku me bandën e saj këngë nga shtëpia, si një nga nismat e marra nga artistët në mbarë botën, për të sjellë art nga shtëpitë e tyre drejt artdashësve. 

Këngëtarja me origjinë shqiptarë nëpërmjet kësaj video dërgon mesazhin për dashuri dhe shëndet! 

Ora 12:05
Nga Maqedonia, këngëtarja Kanita: Kam tri javë e mbyllur në shtëpi! Po lexoj libra dhe po i dedikohem muzikës

Këngëtarja bukuroshe nga Maqedonia Kanita, ka treguar sesi po i kalon ditët e saj në karantinim. 

Ajo thotë se po i shfrytëzon këto ditë për të lexuar, për tju dedikuar edhe më shumë muzikës, ndërkohë që flet edhe për planet e saj për të ardhmen. 

Ora 12:00
Lori: Kemi anuluar koncertet, gjithçka ka 'ngrirë'. Ja si po i kaloj ditët e karantinimit

Koronavirus ka 'ngrirë' thuajse gjithçka. Qindra koncerte muzikore të anuluara, dhjetëra festime familjare apo festa mes miqsh.

Këtë po e ndjejnë edhe këngëtarët, sidomos ata që aktivitetin e tyre artistik e mbështesin te muzika live. 

Nga Kosova ku jeton prej më shumë se 10 vitesh, këngëtarja Lori Kaçka thotë se ka anuluar të gjitha koncertet e saj të afërta dhe tregon sesi po e përjeton këtë periudhë. 

Ora 11:03
Mirela Kumbaro lexon 'Librin e Shpikjeve', kulturë dhe informacion në të njëjtën kohë

Ashtu sikurse është bërë zakon i ditëve në karantinë,  njerëzit po gjejnë rrugë për tu informuar dhe për tu njohur me gjëra të reja edhe nga shtëpia. 

Disa zgjedhin të shohin filmat që u kanë pëlqyer, të tjerë librat që prisnin radhën në bibliotekë e të tjerë përvetësojnë rekomandime të ndryshme nga rrjetet sociale. 

Për keta të fundit, Mirela Kumbaro sjell këtë herë librin e Shpikjeve, një libër që njeh lexuesit e vegjël me shpikjen më të mëdha të njerëzimit. 

Një prëj tyre, Kumbaro e lexon për dëgjuesin virtual. 

Ora 10:42
Koronavirus/ Gazetari Genc Ymeraj: Nuk duhet pritur sa të kalojë stuhia, por të mësojmë si të vallëzojmë me shiun!

Nëpërmjet një video mesazhi gazetari Genc Ymeraj thotë se askush nuk e kishte menduar se do të gjendeshim në një situatë të tillë, duke luftuar me një virus prej te cilit na duhet të heqim dorë nga shumë gjëra, për të mbrojtur jetën!

Situatën e krijuar nga koronavirus ai e sheh si një stuhi, në të cilin duhet të respektojmë disa rregulla në mënyrë që pasi kjo stuhi të mbarojë, të jemi krenarë që ia kemi dalë.

 

Ora 10:40
Pianistja Etrita Ibrahimi: Po kalojmë momente të vështira, por do ia dalim!

Duke shpresuar që pas kësaj situate, sallat për koncertet e artistëve të mbushen plot, pianistja Etrita Ibrahimi thotë se situata e krijuar nga koronavirus është një situatë e vështirë, por duke respektuar rregullat do ia dalim.

Ajo thotë se ne kemi të drejtë të 'shpëtojmë' jetën tonë, ndaj duhet të kujdesemi për të sjellë ditët e normalitetit. 

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?