Tirana luan të mërkurën në orën 15:00 një nga ndeshje më të rëndësishme të sezonit, pasi përballet me Kukësin në qytetin verlindor për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë vijnë pas humbjes me Teutën dhe kërkojnë sa më shpejt suksesin ndaj një kundërshtari që është fokusuar 100% te mbijetesa në Superligë.
“Ne e kemi vlerësuar maksimalisht sepse është gjysmëfinale dhe një trofe në lojë, që ne në këto dy ndeshje do bëjmë maksimumin për ta fituar. Kukësi është një skuadër që me ardhjen e Devollit ka ndryshuar, ka rritur agresivitetin, por që ne i kemi idetë e qarta për ndeshjen,”-u shpreh Erbim Fagu, trajner i Tiranës.
Po të mërkurën në të njëjtën orë Vllaznia përballet në Rrogozhinë me Egnatian. Dy skuadrat e vendeve të para të kampionatit këtë herë masin forcat për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, por Vllaznia vjen pas një ecurie jo të mirë. Në dy përballjet e fundit në kampionat ka marrë vetëm 1 pikë.
“Në përballjen me Egnatian jemi plotësisht gati për një rezultat pozitiv,”-tha Qatip Osmani, trajner i Vllaznisë.
Gjysmëfinalet e kthimit të Kupës së Shqipërisë do luhen më 24 prill.
Ne.k.//ReportTv.al