Të luftosh Covid-19 apo të sqarosh opozitën, kjo është çështja

17 Mars 2020, 09:43| Përditesimi: 17 Mars 2020, 09:44

  • Share

Muaji mars i vitit 2020 do të mbahet mend gjatë, shumë gjatë! Është muaji i parë i stinës së pranverës, muaj që në Shqipëri mbart tri data të rëndësishme festash: 7, 8 dhe 14 marsin. Kësaj here ky mars hyri i gëzuar, po vijoi i trishtë. 

Si asnjëherë më parë në këto 30 vite (as në vitin ’97), shoqëria shqiptare u detyrua të mbyllet në shtëpi e të ndryshojë katërcipërisht jetën e saj sociale, për shkak të një virusi të panjohur, që të mbërthen pa e kuptuar dhe ku çdokush jo vetëm është i infektueshëm prej tij, po më keq akoma, bëhet edhe transmetues i virusit.

Shohim çdo çast informacione në vende pranë nesh se si ndahen nga jeta mijëra njerëz të moshuar, se si qendrat spitalore në vende shumë të zhvilluara nuk po ia dalin dot mbanë që t’i përballojnë flukse të infektuarish që kërkojnë trajtim të specializuar dhe lutemi që edhe këtej anëve tona ky virus jetëmarrës të bëjë sa më pak dëme në këtë drejtim.

Është koha për mesazhe optimiste, bile edhe aty ku mbizotëron pesimizmi, sepse ngritja e moralit dhe mbajtja gjallë e shpresës ndikon pozitivisht në rritjen e imunitetit tek gjithsecili ndër ne. Këtë po e thonë me forcë shumë specialistë të mjekësisë dhe është e domosdoshme që të përcillet kudo nga kushdo që e ka këtë mundësi.

E teksa isha nisur që këto radhë t’i hidhja pa përfshirë politikën në të, nuk të lë në fakt kjo e fundit pa e përmendur kur sheh se si kampi i opozitës jashtëparlamentare ndjell veç zi e pesimizëm.

Kalojnë nga ekstremi duke bërë krahasime midis Shqipërisë dhe vendeve dikur ish-perandori, deri tek theksimi me forcë që qeveria s’ka marrë asnjë masë a thua që gjithë ky volum titatik pune organizative i strukturave spitalore dhe policore, nuk ekziston fare.

Nuk e dimë se ku e gjejnë gjithë këtë ligësi, po të paktën, në këtë luftë me një armik të padukshëm, të thonë që nga 10 gjëra, qeveria ka bërë 7 dhe duhet të punojë fort edhe për 3 të tjerat. Por jo, në kuadër të idesë që nuk është bërë asgjë, kjo farë opozite thotë pa teklif që është bërë zero punë në këtë luftë. A thua se njerëzit anembanë Shqipërisë nuk kanë sy për të parë, veshë për të dëgjuar e mendje për të logjikuar.

Nejse, kjo është punë e tyre dhe e strategjisë që kanë zgjedhur për të bërë opozitë. Koha do t’i vlerësojë gjithsecilin se çfarë bënë në këto kohë të vështira për njerëzimin dhe si e shfrytëzuan atë për përfitime të çastit.

Vetëm se nuk mund të rri pa i përmendur Partisë Demokratike një fakt shumë domethënës, për të cilën ajo duhet të ndjehet me turp dhe, nëse ndjehet e tillë, ka rastin të kërkojë edhe ndjesë.

Gjatë 8 viteve të qeverisjes së saj, shërbimi i urgjencës mjekësore nuk pati kurrë vëmendjen e duhur. Gjatë atyre viteve në kryeqytet shërbimi i urgjencës ofrohej në një ndërtesë njëkatëshe, me pesë dhoma, pa asnjë kusht klimatik dhe me 4 autoambulanca që shërbenin vetëm për transport pacientësh pa asnjë kusht trajtimi në to.

Në vitin 2016, rreth 16 muaj pasi kishte ardhur në pushtet, ministria e Shëndetësisë ndërmori hapin e madh për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (QKUM). Në fakt kishte disa muaj që punohej për këtë qendër e cila do të koordinonte shërbimin e urgjencës në një nivel shumë të lartë dhe profesional.

Si gjithnjë, kur ka nisma të tilla inovatore, Partia Demokratike, atëherë pjesë e Kuvendit, u hodh përpjetë dhe nisi një luftë të fortë kundër saj. Ishin kaq shumë të apasionuar pas asaj godine me 5 dhoma, 4 autoambulanca të vjetra dhe një numër telefoni fiks, saqë të krijohej përshtypja se ajo duhej shpallur “monument kulture i klasit të parë që ruhet nga shteti”.

Disa deputetë opozitarë shkuan edhe më tej duke deklaruar se shërbimi i urgjencës do jepej me konçesion, gjë që vuri në alarm edhe ata mjekë që punonin aty duke menduar se do dilnin pa punë.

Një betejë nga më absurdet qeveri- opozitë për ngritjen e QKUM, pikërisht asaj që sot po menaxhon 7 mijë telefonata kudo në Shqipëri dhe po bën transportin profesional të të sëmurëve. Sikur qeveria të ishte tutur nga ai presion i Partisë Demokratike, një zot e di se si do t’ia kishte dalë sot mbanë kur u përballë me pacientët e infektuar me Covid-19 si dhe me mijëra të tjerë që telefonojnë për çfarëdolloj shqetësimi që ndjejnë.

Ajo rezistencë e qeverisë në fakt hynte tek masat paraprake për t’i dalë të keqes përpara, për të mos qenë të papërgatitur në situata si këto që po kalojmë sot, por që fatkeqësisht mund edhe të ishim të ekspozuar nëse presioni opozitar nuk do të ndeshte në këmbënguljen e qeverisë për t’i shkuar ngritjes së QKUM deri në fund.

Kur kujtoj që gjatë qeverisjes së PD-së, ajo e ashtuquajtur urgjenca mjekësore, me atë numrin fiks që herë punonte, herë dilte i zënë, herë nuk ta hapnin telefonin e ku makina vononte, ndërkohë që sot jo vetëm që kemi një qendër të vetme koordinuese, të digjitalizuar, me autoambulanca kudo pranë pikave të poliklinikave të lagjeve për të qenë sa më pranë pacientëve në kohë rekord; është për të vënë duart në kokë teksa sheh këtë luftë me mullinjtë e erës që bëjnë disa mjekë opozitarë, që dikur kanë qenë edhe ministra, por që kurrë as e ngritën këtë shërbim në nivelet e sotme moderne, as e patën në vizionet e tyre qeverisëse.

Prandaj, zotërinj opozitarë! Mos u kompleksoni shumë nëse në këtë situatë lufte bashkëpunoni me qeverinë. Jepni mesazhe inkurajuese për popullin dhe mbështesni vendimet e institucioneve. Bëhuni pjesë e ekipeve mjekësore sipas thirrjes që ka bërë qeveria dhe atje shiheni me sytë tuaj se si po punohet çdo orë e çdo ditë për të minimizuar të keqen që ka kapur tashmë gjithë botën. Kjo është e vetmja mënyrë që të dukeni çfarë jeni e çfarë dini të bëni. Sa për llafe nëpër konferenca shtypi apo rrjete sociale, ato janë thjesht fukarallëk mendimi e si hyjnë në punë kurrkujt.

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ketri: 17/03/2020 15:48

    O Tini po ne qenkemi mire shume! Sistem shendetesor i papare ne bote. Ti ke ndonje pjese te check-up? Apo i ben keto shkrimet per “dashamiresi”? Apo te ra ty shorti te bertasesh e ka fajin Saliu? Iken 7 vjet......kemi thyer rekorde. Do ti numeroj? P.s mos te rente per pjese halli neper spitale Altin

    Përgjigju
  • Qytetari: 17/03/2020 13:05

    Te dyja bashke jo? Mos harro se po flasim per qeverine e vendit me te koruptuar ne evrope. Qeveri e vendit te pare ne evrope per prodhim e trafikim droge. Nuk eshte qeveria e Norvegjise kjo jona. Si thua ti, mos ti kerkohet as llogari? As shpjegim? Vjet ne vere per 2 muaj bera 860 km ne kemb neper fshatrat kodrinore dhe malore te shqiperise. Kam pare nje mjerim te paimagjinushem. Te semure mendore ne kushte mizerie. Shqiperia nuk eshte vetem Tirane. Ti dalesh krah ketij k.ministri pervers kriminel do te thote te jesh kundra vendit tend. Vend ne kerkim te azilit si sirianet. Turp te keni. Shkrimet ngelen. Niperit do ju gjykojne. Do nderrojne mbiemer

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?