‘Të lirë’, Lea Ypi vlerësohet me çmimin ‘Lumo Skëndo’: Lidhja mes librit tim dhe veprës së Mid’hat Frashërit dhe ndryshimi tek orientimi politik

27 Prill 2022, 15:34| Përditesimi: 27 Prill 2022, 18:56

  • Share

I rikthyer nga Qendra Kombëtare e Librit dhe leximit, me synimin për të vendosur një institucion gjykimi për veprën më të mirë publicistike, eseistike a studimore, çmimi “Lumo Skëndo” iu dorëzua shkrimtares e pedagoges së Teorisë Politike në Londër, Lea Ypi, për librin “Të lirë”, që përsiatet mes autobiografisë letrare e filozofisë politike.

“Ajo që gjithashtu më ngroh jashtëzakonisht është lidhja midis temës së librit dhe veprës së Lumo Skëndos. Libri ka si temë konceptin e lirisë dhe si ide kryesore faktin që liria ndonjëherë na shfaqet si iluzion, ndonjëherë na shfaqet si ideal, asnjëherë si realitet institucional në shoqëritë në të cilat jetojmë”, u shpreh shkrimtarja Lea Ypi.

Ky libër u përzgjodh nga juria e drejtuar nga studiuesi Uran Butka me motivacionin “për vlerat e shquara në trajtesën origjinale, artistike e filozofike të konceptit të lirisë në kohën e diktaturës komuniste dhe të tranzicionit demokratik në Shqipëri, nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë dhe adoleshencës, dhënë me vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor, meditim politik e filozofik bashkëkohor”.

“Pavarësisht se Lumo Skëndo ka marrë një orientim krejt tjetër nga i imi, unë mendoj që Shqipëria është një shtet shumë i vogël dhe me një traditë intelektuale shumë të shkurtër, që ta ketë luksin e këtyre ndarjeve politike, që të pengojnë ecurinë e përbashkët intelektuale”, shtoi më tej Ypi.

Mes 50 veprave të gjykuara nga juria, Ypi kryesoi mes 5 finalistëve, ku në garë ishin shkrimtarët Fatos Lubonja me “Jetë burgu”, Fatmir Toçi me “Arbëreshët”,  Rubens Shima me “Posteri shqiptar” dhe Kujtim Shala me librin  “Zbulimi i Zef Pllumit”.

“Për të nxjerrë saktësisht fituesin u votua disa herë gjatë procesit dhe përfundimisht fituesja rezultoi Lea Ypi me librin ‘Të lirë”, por edhe të tjerët që  u përmendën këtu janë fitues”, u shpreh studiuesi Uran Butka, drejtor i Institutit “Lumo Skëndo”

Çmimi synon të  sjellë në vëmendje kontributin e shumanshëm si publicist shkrimtar e albanolog të Mid’hat Frashërit dhe ka vlerën monetare prej 200 mijë lekësh.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?