Tritan Kalo

Frrok Çupi: Të gjithë gabojmë me Tritan Kalon

26 Korrik 2023, 15:20| Përditesimi: 26 Korrik 2023, 16:00

  • Share

I vetmi krim i Tritan Kalos është se të lë, ose edhe të josh, të hysh në mëkat. Jo në mëkatet ndaj njeriut në përgjithësi, sepse ai për këtë punë ka ardhur në jetë- të mbrojë njeriun nga infeksioni i çdo lloj. Edhe në luftën e egër kundër pandemisë së Coronavirusit, Tritani u shfaq pa parë nga dera ku hyri; nuk donte t’ia dilte se ku do të dilte. Na shkuan shumë miq e të njohur, me atë rast. Ndërkohë fituam shumë modele të shenjtëruar mjekësh që për vete na shfaqeshin në ekrane të rraskapitur, ndërsa ne na jepnin shpresë. Atëherë kam menduar seriozisht se edhe Tritan Kalo do të shkonte ‘me atë rast…’. ‘Me atë rast’ është një dy-fjalësh që e kam gjetur kudo në Moskë aty nga vitet 2000, 2001…

Njerëzit kur takoheshin pyesnin njëri- tjetrin për të afërmit: ‘Si është zoti Igor?…’, bie fjala. Tjetri mblidhte buzët: ‘Ah, Igor shkoi me atë rast’…. ‘Me atë rast’ rusët nënkuptonin luftën, ose luftën në Afganistan ose pikëllimin për rënien e komunizmit. Sidoqoftë, luftë e njeriut ishte edhe ajo. Në luftën kundër Covid, ‘në atë rast’, Tritani nuk do të kishte dëgjuar asnjë mik e njeri të dashur që t’i thoshte ‘ruaj jetën tënde’. Kjo është pjesa tjetër e mëkatit të tij. Tritan Kalo nuk të lejon ta ‘kurosh’ në defektet e tij, dhe kjo të mbetet ‘pishman’ sa jetë të kesh. Dhe kjo të bën të gabosh me të…

Beteja e fundit kundër përbindëshit që kësaj here u quajt ‘coronavirus’, u zhvillua në Tiranë, që nga marsi i vitit 2019 e deri… sa nuk i ka ardhur fundi. Të gjitha betejat e jetës së tij, Tritan Kalo i ka zhvilluar në Tiranë; kur studionte ose punonte në Europë a në pjesën tjetër të botës, atje veçse u ‘karikua’ shkencëtarisht për ta bërë luftën në atdhe. U diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë ku fitoi Medalje të Artë. Ndërsa diplomimin pas Tiranës e kreu në Universiteti Paris 7, Fakulteti i Mjekësisë “Xavier Bichat”, Francë; një prej universiteteve më në zë të botës. Në Tiranë u kthye si ‘ylli i mjekësisë’ në Sëmundjet Infektive e Tropikale dhe në Reaminacionin Mjekësor.

Por gjithnjë e kam parë që lëvizte si ‘hije’; as brohoriti, as kërkoi ‘shikomëni mua’. Derë më derë ku dikush e thërriste për një të sëmurë e kam parë Tritanin. Ka parë ky vend mjekë ‘të shquar’ të epokës së Tritanit që edhe telefonin e shtëpisë e kishin me një hyrje: Vetëm shkonin por nuk hynin thirrjet telefonike. Ka parë ky vend mjekë që e infektuan tërë klimën dhe palcën e shoqërisë, me mijëra të vdekur por më shumë të infektuar. E tani nuk i del këtij vendi helmi i vjedhjes dhe krimit që injektuan ata ‘doktorë’… Tritanin e perceptoj si doktorin që ndjek rrugën ‘ku kaluan ata’, me qëllim që të shërojë të sëmurët e lënë rrugës prej atyre…

Në vitin 1997, sapo Shqipëria u çlirua nga lufta civile e drejtuar nga qeveria e presidentit të kohës, në mes njerëzve më elitarë të kohës, Tritanin e prisnin që të ishte në krye të ekipeve të larta mjekësorë, ose në krye të institucioneve të shtetërore të mjekësisë… Por nuk ndodhi, ata kishin hyrë nëpër zyra dhe doktori nuk kishte ku t’i takonte. Atëherë nisi procedurat për ‘jashtë’, ku e prisnin institucione të njohura në botë. Kështu i futi në mëkat edha ata që dolën nga lufta civile. Këto ditë po bëhet gati prapë të kthehet atje, o në Paris o në Kanada.

Prapë do të na e lërë mëkatin mbi shpatullat tona: ‘Më kishit, por nuk më mbajtët’. Mosha e tij erdhi në një pikë ‘ligjore’ ku ai ‘duhet të largohet’- sipas ligjit lokal. Lajmin e kanë emetuar mediet, por edhe vetë doktori. Po si është kjo punë, që të gjithëve ligji ynë na lë ‘me gojë hapur’. Ne jemi etërit, por kthehemi edhe në viktima të ligjit. Si mund të ketë pension për Tritan Kalon? Ky është mëkati vetë, ku gabojmë të gjithë.  Në botën e Perëndimit njerëzit e rrallë të këtij lloji janë ‘mbi ligjin’. Këta duhen mbi ligjin, në vend që në fronin mbi ligjin të vihen të pavlerët.

Kjo është marrëdhënia mes të mirës dhe të keqes, ku ligji bën punë vetëm kur nuk godet të mirën. Tritani, me ‘gabimet që bëjmë’ të gjithë, më sjell në profesionin tim, që nga mjekësia e tij. Ishte një italian ‘përbindësh’, Indro Montaneli, gazetar, historian e shkrimtar; besoj rrallëkush nuk e njeh. Sot, në 25 korrik, ka përvjetorin kur u varros në vitin 2001. Deri atë ditë, askush nuk e ‘përjashtoi nga puna’. Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, edhe pse Indro nuk iu bind që të hynte në Parlament, as të kthente në favor të tij politikën editoriale, e ftoi në krye të medias. Deri në 2001 ai ishte kryeredaktor i letrave i Il Corriere della Sera. Indro ishte në punë deri në 92 vjeç… Nuk e di se si do ta lëmë Tritanin të ikë pas ca ditësh, ai nuk është më shumë se diku te 70! Të gjithë do të jemi në mëkat.

M.T//ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 27/07/2023 10:46

    Frrok Cupi si gjithnje elitar ne idete dhe shkrimet e tij! Nuk e deshen doktorin se nuk ja pertonte as ministres ... ...keta duan njerez lepe peqe

    Përgjigju
  • George: 26/07/2023 19:25

    Ne Shqiperi duhet te hiqet Pensioni i Detyruar, sic e ka edhe SHBA.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?