Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Salmon me patate në furrë dhe Ëmbëlsirë në gotë me luleshtrydhe

11 Shkurt 2020, 11:19| Përditesimi: 11 Shkurt 2020, 12:49

  • Share

Salmon me patate në furrë

Përbërësit:

3-4 patate

1 spec i kuq

2 feta salmon (500-600 gr)

Vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

Rozmarinë

1 lugë gjelle bukë e thekur e grirë

1 lugë gjelle parmixhan

Përgatitja:

Pastrojmë salmonin nga halat dhe lëkura dhe e presim në kubikë. Qërojmë patatet dhe I presim ato në feta rrumbullake. Në një tenxhere me ujë të valuar me kripë, ziejmë patatet për 3 minuta. I kullojmë dhe I vendosim në një tas dhe shtojmë në të 2-3 lugë gjelle vaj ulliri, kripë dhe rozmarinë.

Në një tavë të lyer me vaj shtojmë 2 shtresa patate, mbi patate shpërndajmë salmonin dhe specin e kuq të prerë në kubikë të vegjël. Sipërfaqen me spec dhe peshk e mbulojmë me 2 shtresa të tjera me patate. Përziejmë një lugë me bukë të thekur me 1 lugë gjelle parmixhan të grirë dhe spërkatim patatet me të. Vendosim tavën në furrë në temperaturë 180 gradë Celsius, për 40 minuta.

 

Ëmbëlsirë në gotë me luleshtrydhe

Përbërësit:

80 gr biskota (të grira)

50 gr gjalp

500 gr luleshtrydhe

2 lugë gjelle sheqer pluhur

200 gr krem pana

250 gr salcë kosi

50 gr sheqer

1 pako vanilje

Përgatitja:

Në pamje të parë kjo recetë mund të duket e vështirë, por është shumë e thjeshtë për tu gatuar. Thërrmojmë biskotat dhe pasi të shkrijmë gjalpin në një tigan shtojmë biskotat e thërruara dhe i kaurdisim derisa të bëhen krokante në temperaturë të ulët. Mbuloni bazën e gotës duke shtuar në të 1 ½ lugë biskota të thërrmuara dhe të kaluara në gjalp. I shtypim në fundin e gotës.

150 gr luleshtrydhe të pastruara mirë i vendosim në një tigan salce. Shtojmë në të 2 lugë gjelle sheqer dhe i përziejmë derisa të bëhen në formë pureje. Më pas e lëmë mënjëanë. Përhapim gjysmën e puresë së luleshtrydhes në pjesën e poshtme të gotës së ëmbëlsirave.

Presim luleshtrydhet në feta dhe i vendosim mbi bazën në mënyrë të dukshme në anët e gotës, duke i mbështetur në gotë. Rrahim kremin pana sa të ngurtësohet, e bashkojmë kremin me salcën e kosit. Shtojmë sheqerin e mbetur dhe vaniljen.

Vendosim kremin në xhep pasticerie dhe mbushim gotat me krem. Shpërndajmë mbi gotë krem luleshtrydhe (nëse dëshironi). Dekorojmë gotat me feta luleshtrydhesh dhe i vendosim në frigorifer për të paktën 30 minuta para se t’I shërbejmë.

 

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Komisioni Hetimor për Shëndetësinë do të prodhojë rezultat?