Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Kek me limon dhe krem lulelakër me arra dhe pançetë

18 Mars 2020, 11:08| Përditesimi: 18 Mars 2020, 11:56

  • Share

Kek me limon

Përbërësit:

4 vezë

1 filxhan çaji e 2 lugë gjelle sheqer

1 filxhan çaji qumësht

2 filxhan kafe vaj bimor

1 filxhan kafe lëng limoni

Lëkura e një limoni

300 gr miell

Përgatitja: Në një tas rrahim vezët, shtojmë sheqerin dhe i përziejmë së bashku derisa sheqeri të shkrijë dhe vezët të zbardhen. Shtojmë qumështin dhe i përziejmë, shtojmë vajin dhe lëngun e limonit, lëkurën e limonit, miellin e situr, pluhurin pjekës dhe i përziejmë së bashku derisa të na formohet një masë që derdhet rrjedhshëm, jo i trashë. Lyejmë një tepsi keku me gjalp dhe e pudrosim me miell. Shtojmë brumin e kekut dhe e vendosim në furrën e parangrohur në temperaturë 175-180 gradë, për 40 minuta.

Krem lulelakër me arra dhe pançetë

Përbërësit:

800 gr - 1 kg lulelakër

Gjalp

2 qepë të vogla

4 feta pançetë

1 filxhan çaji qumësht

4 lugë gjelle pana gatimi

2 lugë gjelle parmixhan

Kripë dhe piper i zi

50 gr arra

Feta buke ose bagetë

Pastrojmë lulelakrën dhe e vendosim në tenxhere të copëtuar në lule. Shtojmë ujë dhe e lëmë të ziejë për 20 minuta. Në një tenxhere vendosim 40 gr gjalp, e shkrijmë dhe shtojmë në të qepën të grirë shumë hollë. Shtojmë pançetën të prerë në copa 2 cm. I kaurdisim derisa pançeta të theket dhe të marrë ngjyrë të kuqerrëmtë. E largojmë pançetën nga tenxherja dhe e lëmë mënjëanë. Me ndihmën e një kullese largojmë lulelakrën nga uji dhe e shtojmë në tenxheren me qepë. Shtojmë në këtë tenxhere edhe 1 garuzhde nga uji ku ziem lulelakrën dhe i trazojmë së bashku derisa të marrë shijen me qepën. Kalojmë lulelakrën në blender dore dhe e kthejmë atë në pure. Shtojmë një filxhan qumësht, panën, pamixhanin, kripë dhe piper të zi. I përziejmë përsëri me blender. Copëtojmë arrat në copa të dukshme. Thekim disa feta bagetë dhe servirim lulelakrën duke e dekoruar me një fetë bagëtë të thekur, disa copa pançetë të skuqur dhe një lugë gjelle arra të copëtuara. Ju bëftë mirë.

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?