Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Byrek trekëndësh me lakër e djathë dhe Supë me shije e ngjyrë pice

25 Shkurt 2020, 12:18| Përditesimi: 25 Shkurt 2020, 13:26

  • Share

Byrek trekëndësh me lakër dhe djathë

Përbërësit:

1 petë sfoliatë

1/2 lakër e bardhë mesatare

1 qepë

2- 3 karrota (mesatare)

1 spec pikant

3 lugë gjelle uthull vere

1 degë selino (me gjethe)

70 ml vaj

200 gr djathë i bardhë

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Në një tigan me pak vaj kaurdisim qepën të grirë hollë dhe shtojmë lakrën e grirë.  E përziejmë së bashku derisa lakra të ulë volumin e saj. Rregullojmë shijen me kripë. Grijmë karrotat hollë dhe i shtojmë te lakra, shtojmë pak spec pikant, vazhdojmë përzierjen dhe në fund shtojmë selinonë të prerë hollë bashkë me gjethet e saj.

E lëmë për pak minuta në zjarr dhe më pas e shuajmë me 3 lugë gjelle uthull vere.  E largojmë tiganin dhe transferojmë perimet gjysmë të gatuara në një enë që të ftohen.

Shtojmë djathin e thërrmuar, piperin e zi dhe e përziejmë mbushjen duke e lënë mënjëanë.

Petën sfoljatë e hapim pak fare, e presim në katrorë me brinjë 12-15 cm. Vendosim nga një lugë mbushje në qendër të cdo katrori, bashkojmë copqat duke I lagur pak me ujë dhe duke I shtypur me pirun.

Kështu formojmë trekëndëshat. Një variant tjetër i po këtij byreku është forma e një strudeli  të mbushur me lakër, perime dhe djathë. E pjekim në temperaturë 200 gradë Celsius, për 15-20 minuta.

 

Supë me shije dhe ngjyrë pice

Përbërësit:

2 lugë gjelle vaj ulliri

150 gr mish i grirë

1 qepë e vogël

1 thelpi hudhër

200 gr kërpudha

Kripë dhe piper i zi

1 lugë kafe rigon

200 gr pure domate

600 ml lëng perimesh

50 gr krem djathi

1 spec i verdhë

1 grusht rukola

20 gr parmixhan

Përgatitja:

Në një tenxhere ngrohim 2 lugë gjelle me vaj ulliri, shtojmë në të mishin e grirë dhe e kaurdisim mirë derisa mishi të marrë ngjyrë. Shtojmë qepën e grirë imët dhe vazhdojmë ti kaurdisim së bashku, shtojmë 1 thelpi hudhër të copëtuar, kërpudhat të prera në katër pjesë dhe vazhdojmë përzierjen sa kërpudhat të ulin volumin. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi, rigon, shtojmë purenë e domates, lëngun e perimeve, kremin e djathit dhe I përziejmë të gjithë përbërësit së bashku. Vendosim kapakun dhe ee lëmë supën të marrë valë.

Ndërkohë specin e verdhë e presim në kubikë të vegjël dhe shtojmë në tenxhere duke e lënë supën të vlojë gjysmë e mbyllur.

Gjatë kohës që supa zien grijmë shumë hollë rukolën, e vendosim atë në një tas, shtojmë në të vaj ulliri, kripë dhe piper.

Në fund servirim supën në tas apo pjatë dhe shtojmë në të 1 lugë gjelle rukola me vaj, grijmë 2-3 feta të holla parmixhan dhe shërbejmë supën të ngrohtë.

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?