Foto ilustruese

Të ardhurat tatimore në janar u rriten vetëm 0.3 pikë % më shumë se inflacioni

21 Mars 2023, 07:15| Përditesimi: 21 Mars 2023, 07:18

  • Share

Të ardhurat buxhetore në tërësi në muajin janar rezultuan 50.2 miliardë lekë ose 10 për qind më të larta se fakti i të njëjtës periudhë. Por të ardhurat tatimore që nuk përfshijnë ndihmat ( flukse të donatorëve), janë rritur me vetëm 7.5 për qind në krahasim me janarin e vitit 2022, gati me nivelin e inflacionit.

Ritmet e grumbullimit e të ardhurave tatimore u zvogëluan ndjeshëm në janar, po të kemi parasysh se vitin e kaluar në të njëjtin muaj pësuan rritje vjetore me 29.8%. Sipas INSTAT në janar 2023 inflacioni shënoi rritje me 7.2%, ndërsa të ardhurat tatimore në të njëjtin muaj u rriten me 7.5% ose 0.3 pikë përqindje me shumë se inflacioni. Arkëtimet buxhetore në janarin e këtij viti u ndihmuan nga të ardhurat nga ndihmat që përfaqësojnë disbursime nga fondet e donatorëve. Arkëtimet në këtë zë arritën në 1,3 miliardë lekë me 695 për qind në krahasim me janarin 2022.

Ndërmjet të ardhurave tatimore arkëtimet dyshifrore ishin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar me 16,9 miliardë lekë me rritje vjetore 11%. Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin u rriten me 45% në krahasim me janarin e vitit 2022, me rreth 2.4 miliardë lekë të arkëtuara. Të ardhurat nga akciza shënuan rritje vjetore me 17.4%, të ndihmuara nga rritja e zhdoganimeve të cigares me 64% dhe birrës me 101% janar 2023.

Gjithashtu rritja e pagave në sektorin privat dhe rritja e pagës minimale në vjeshtën e vitit të kaluar kanë ndikuar pozitivisht të ardhurat për kontributet e sigurimeve dhe të ardhurat nga TAP. Të ardhurat nga sigurimi shoqëror u rriten me 16.1% dhe të ardhurat nga TAP u rriten me 30.5%. Rezultatet e të ardhurave janë rritur me ritme të kënaqshme, mirëpo ndikimet negative erdhën nga taksat e pushtetit vendor dhe ato nacionale.

Zgjedhjet lokale duket se po reflektojnë negativisht të ardhurat, pasi në janar janë grumbulluar vetëm 1,7 miliardë lekë me rënie 55% në krahasim me janarin 2022, gjithashtu të ardhurat nga taksat nacionale të ndikuara negativisht nga renta minerare shënuan rënie me 24%. Në krahun e shpenzimeve buxhetore, rritja me faktin e janarit 2022 ishte me 8%. Balanca buxhetore rezultoi me suficit në janarin 2023 me rreth 14,9 miliardë lekë ose 14 për qind më shumë suficiti i vitit të kaluar.

Në janar 2023 shpenzimet publike ishin 15.9 miliardë me të ulëta se të ardhurat. Arka e shtetit është në pozita të mira fiskale në këtë fillim vit duke krijuar rezerva që në muajin e parë. Importet zyrtare të naftës me rënie vjetore 9.5 % edhe në janar 2023 Importet e naftës vijuan rënien sistematike edhe në janar të vitit 2023, ashtu si edhe përgjatë gjithë vitit të kaluar, në kontradikte me volumet e tregtisë me pakicë, që raportuan rritje me 2022 nga INSTAT. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave gjatë janarit të këtij viti u zhdoganuan 40,734 tonë naftë nga 45,001 në janarin e vitit të 2022, më rënie 9.5 për qind.

Në janarin e vitit 2022 ende nuk kishin nisur efektet e luftës në Ukrainë, por gjithsesi zhdoganimet e hidrokarbureve ishin edhe më të ulëta se në janarin 2020. Siç shihet nga të dhënat e grafikut te mëposhtëm, importet e hidrokarbureve në muajin janar shfaqen me luhatje nga viti në vit. Gjatë vitit të kaluar importet e naftës pësuan rënie me mbi 9 për qind.

Por të dhënat e INSTAT treguan se volumet e shitjes me pakicë të hidrokarbureve pësuan rritje sistematike gjatë vitit 2022, ku në tremujorin e parë rritja vjetore ishte me 4.2%, në tremujorin e dytë me 5.2%, në tretin me 3.9% dhe në të katërtin me 4.7%.

Mesatarisht shitjet me pakicë janë rritur me rreth 4.5% gjatë vitit 2022, por importet e naftës të raportuara zyrtarisht kanë rënë me rreth 9%. Hidrokarburet janë produkti më i rëndësishëm në aspektin e arkëtimeve buxhetore, pasi renditen të parat në listën e artikujve që çojnë të ardhura në buxhet. Çmimet e naftës në Shqipëri prej gati 10 muajsh përcaktohen nga një Bord ndërqeveritar.

Vendimet e Bordit të Transparencës shpesh kanë qenë të diskutueshme pasi nuk kishin ecuri të drejtë me çmimet referencë të Bursës. Ne mes të janarit 2023 një litër naftë u shit me 208 lekë. Në bursat ndërkombëtare një fuçi naftë e cilësisë brent kushtoi rreth 80 USD në janar të këtij viti rënie vjetore 35%. Ndërsa në vendin tonë një litër naftë me pakice në janar 2023 kushtoi 15 % më shtrenjtë se në janarin 2022.

Ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë tha në fillim të këtij viti se Bordi pritet që të shkrihej së shpejti, ndërkohë që dje u vendos të ndërhyhej sërish tek çmimet. Përfituesi kryesor nga rritja e çmimeve të naftës është qeveria, e cila arkëton më shumë TVSH, si rrjedhojë e çmimeve të larta. Financat nuk kanë bërë të ditur se sa janë arkëtimet si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, por burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve bënë të ditur për Monitor se kompanitë e karburanteve kanë paguar 135 milionë euro më shumë TVSH vetëm nga shtrenjtimi i çmimeve, që për muaj me radhë qëndruan në nivelet e 230-240 lekë për litër, nga rreth 170-180 lekë për litër në vitin 2022./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?