Tatimet 5 aksione anti-informalitet, zbuluan 158 mijë qytetarë me rroga të nën-deklaruara, por ndëshkime minimale! Inspektorati i Punës: S’kemi shifra

8 Mars, 21:10| Përditesimi: 8 Mars, 21:18

  • Share

Për të frenuar fenomenin negativ që doli në dukje më shumë pas daljes së databazës së pagave që rrezikon pensionet por edhe buxhetin e shtetit, Administrata Tatimore prej vitit 2021 ka ndërmarrë 5 aksione anti-informalitet me fokus ‘luftën ndaj nën-deklarimit të pagave’.

Faza e parë e shtatorit të vitit 2021 u përqendrua në 3.882 tatimpagues të cilët deklaronin për 80-100% të punonjësve pagën minimale. Këto subjekte kishin të punësuar 62.905 punonjës, pra të cilët merrnin më shumë por në fakt deklarimi për kontribute ishte rroga minimale, të cilët u njoftuan nëpërmjet një letre nga tatimet që të bënin deklarim real.

Nisma e dytë ishte në dhjetor 2021, në 10.153 bizneset të cilët deklaronin për 95.214 punonjës të tyre pagën minimale. Për këto subjekte kryesisht në fushën ndërtim, tregti, fasoneri, call center u dërguan letra për të deklaruar pagën reale.

Pas këtyre dy aksioneve, tatimet thonë se u rritën pagat për 58% të të punësuarve, pra për 91,735 persona.

“Referuar analizës së fundit të liste pagesës Mars 2022, nga matja e reagimit të tatimpaguesve të cilësuar me risk për të cilët është dërguar letër e personalizuar për deklarimin real të pagës, 58% e tyre kanë reaguar me rritje të pagave”, thotë Drejtoria e Tatimeve në përgjigjen zyrtare për Report TV.  

Aksioni i tretë nisi në gusht të vitit 2022, në sektorët Arsim Privat, Kompanitë e Sigurimit dhe Media, pas një analize të bërë për mos-deklarim real të pagave.

“Metodologjia e aplikuar për identifikimin e sektorëve me risk ishte analizimi i numrit me të lartë të subjekteve me punonjës të deklaruar me page minimale ose me shmangie negative nga paga mesatare e profesionit  dhe e sektorit, devijancë negative mbi 45% nga paga mesatare e më të mirit të sektorit”, thonë Tatimet.

Pas kontrolleve në 25 subjekte të këtyre fushave u evidentuan 80.05 milion lekë detyrime për penalitete në total.

Pa shifra konkrete tatimet thonë se dhe në shtator 2022 ka nisur një kontroll tjetër për luftimin e këtij fenomeni, në ato subjekte që në listë-pagesën e tyre kishin 2-6 punonjës dhe 100% e tyre rezultonin me pagë deri në nivelin minimal të pagës, të cilëve ju dërguan letra të personalizuara me qëllim ndërgjegjësimin.

Dhe e fundit ka qenë nisma e vitit 2023 e përqendruar tek monitorimi i tatimpaguesve me numër të lartë punonjësish me pagë në kufijtë e pagës minimale.

Drejtoria e Tatimeve thotë për Report TV se pas nismave të vitit 2022 deri në shtator të vitit 2023 është ulur numri i punonjësve me pagë minimale me 60,746 punonjës, si dhe janë shtuar në skemën e sigurimeve 13.448 punonjës.

Por për të gjitha këto shkelje ndëshkimet janë minimale, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë për Report TV se vjet janë gjobitur vetëm 141 tatimpagues vetëm për punonjës të padeklaruar.

Gazetarja: A kanë ardhur ndonjëherë kontrollet e tatimeve?

Qytetari: Vitin e parë që erdhëm, na kanë thënë ikni shpejt nga puna, dhe u zhdukëm. Më pas kur kanë ardhur isha gjoja i punësuar për 4 orë dhe pjesën tjetër e mbulonin ata gjoja.

Mbi gjithë këtë panoramë të errët dhe fushatat e deklaruara për ta goditur këtë fenomen që rrezikon të ardhmen e punonjësve, institucionet nuk kanë shifra për të matur përmasat e kësaj grope financiare.

Report Tv pyeti Inspektoratin e Punës se sa raste kanë zbuluar të mosdeklarimit të pagave reale gjatë vitit 2023 por një shifër e tillë, mungon në statistikat e tyre.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara janë konstatuar edhe raste të mosdeklarimit real të pagës nga ana e punëdhënësit, por duke qenë se në pagë reale përfshihen, paga e dakordësuar në kontratë plus pagë për punë të kryer për orë shtesë, punë të kryer në ditët e festave zyrtare, etj, përsa më sipër nuk e mbledhim si një të dhënë të vetme statistikore”, përgjigjet Inspektoriati i Punës për Report TV.

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e legjislacionit të punës. Ai garanton zbatimin e dispozitave ligjore, në lidhje me kushtet e punës dhe mbrojtjen e punonjësve.

Edhe në ankesat që vetë qytetarët kanë bërë pranë Inspektoratit të Punës, nuk specifikohet në asnjë rast denoncimi për nëndeklarimin e pagës.


Lajmi kryesor:

Investigimi/ Nëndeklarimi i pagave rrezikon ekonominë! 600 mijë të punësuar pa sigurime, thellohet deficiti i skemës së pensioneve


B.K//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?