Task-Forca,pas FBI, zbarkojnë
ekspertët gjermanë dhe italianë

9 Nëntor 2017, 07:29| Përditesimi:

  • Share
Ndërkombëtarët shtojnë prezencën me hetues në Tiranë për të goditur kokat e krimit të organizuar. Pas mbërritjes së dy agjentëve të FBI, edhe dy ekspertë nga Italia do të zbarkojnë në Tiranë, për t’iu bashkuar Task Forcës Speciale për luftën kundër krimit të organizuar. Ndërkaq, një ekspertë nga Gjermania është akomoduar dhe ka filluar punën në Tiranë. Gjithashtu, pritet ardhja e një eksperteje nga Britania e Madhe. Të dhënat janë bërë me dije nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, ku u diskutua buxheti për Ministrinë e Brendshme.

Xhafaj tha gjithashtu se ekspertët do të paguhen nga vendet e tyre përkatëse. “Ekspertët e FBI, Gjermanisë dhe të Italisë do të paguhen nga qeveritë e vendeve respektive. Ne krijojmë kushtet dhe stafin që u shërbejnë. Stafi është nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme. Nëse do të jetë e nevojshme për burime shtesë do i kërkoj qeverisë për të nxjerrë buxhet. Aktualisht janë akomoduar ekspertët e FBI, do vijnë edhe të tjerë, ka filluar punë edhe eksperti nga Gjermania, presim dy nga Italia”, tha ai. Duke folur për buxhetin, Xhafaj sqaroi se vendet partnere kanë akorduar një buxhet shtesë për Ministrinë e Brendshme.

“Dëshiroj të theksoj se, krahas këtij buxheti, agjencitë mbështetëse dhe vendet partnere kanë akorduar një buxhet shtesë. Ne kemi qenë përpara disa ditësh në një takim në Delegacionin e Komisionit Europian me të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Dhe Komisioni Europian në një program të posaçëm të tij, disa nga vendet anëtare të BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke riparë buxhetin mbështetës për prioritetin e MB për të rialokuar fonde shtesë, që kanë të bëjnë me dy aspekte: me asistencë teknike dhe në investime logjistike. Shumë shpejt ata do ta bëjnë publike këtë mbështetje të posaçme buxhetore për Ministrinë e Brendshme”, tha Xhafaj.

Vetingu në Policinë
Për sa i përket Vetingut në Policinë e Shtetit, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj theksoi se do të nisë nga 1 janari. “Vetingu në polici do të nisë nga 1 janari. Nga buxheti i shtetit një shumë e caktuar të kalojë për Vetingun, që ne të kemi njerëz me integritet te policia. Kemi në total rreth 11 mijë punonjës policie, pjesa tjetër është Garda, MB dhe agjenci tjera në varësi të ministrisë. Për sa i përket investimeve, gati 70% e tyre shkon për teknologji. Ne sot kemi një situata jo të shëndetshme për mjetet e investigimit. Përveç policisë së Shkodrës, drejtoria me gjendjen më të keqe, dhe RENEA, që ka filluar si projekt dhe do çohet përpara. Përtej kësaj, jashtë buxhetit jemi duke punuar me shoqata”, deklaroi ministri.

Pajisje përgjimi
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u dal edhe tek investimet për modernizimin dhe forcimin e Policisë së Shtetit. “Blerje pajisjesh përgjimi, automjete dhe zyra për SHÇBA. Blerje pajisjesh për Policinë Kriminale dhe Policinë Shkencore. Së dyti, rritja e kapacitetit (ndërtimi i shtesës) për Sallën e Serverave. Kjo për faktin se rritja e të dhënave dhe e përdorimit të sistemit TIMS ka shkaktuar dhe vijon të shkaktojë problem. Por edhe për faktin se jemi duke ridimensionuar, rishikuar sistemin bazë që ka sot Policia e Shtetit. Disa persona këtu përballë meje janë persona me background të lidhur me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit dhe e njohin shumë mirë këtë gjë”, tha Xhafaj.

Pajisje sekrete
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka deklaruar në Komisionin e Sigurisë se në buxhet është planifikuar blerje e pajisjeve sekrete përgjimi në luftën kundër drogës që do të ndërmarrë Task Forca. Buxhet në luftën ndaj drogës: Pajisje sekrete që nuk i përmend dot. Pajisje për policinë kriminale e shkencore. Do të shtojmë serverat. Do të blejmë motorë lundrues për drejtoritë kufitare bregdetare”, deklaroi ai.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?