'Tashko, Koço e Antoniu, si e mbrojtën tabanin muzikor', Kastriot Tusha: Këngët popullore, ADN-ja jonë muzikore

28 Shkurt 2022, 16:27| Përditesimi: 28 Shkurt 2022, 16:35

  • Share

Atmosfera ishte ajo e luftës, ndërsa qëllimi i klasikëve që këndonin e regjistronin këngë popullore shqiptare 8 dekada më parë, ishte ajo e përjetësimit të trashëgimisë kulturore jo materiale. Në sallën “Tonin Harapi” një ekspozitë e çelur këtë të martë kujton veprimtarinë e çiftit të muzikantëve, sopranos Tefta Tashko e baritonit Kristaq Koço. Një hapësirë e veçantë iu dedikua edhe kolegut të tyre tenorit e baritonit Kristaq Antoniu. Disqet origjinalë “Columbia” ku ata regjistruan këngët e traditës, fotografi nga aktiviteti muzikor brenda e jashtë vendit si dhe aspekte të jetës personale në imazhe, shpalosen para auditorit, ndërsa studentë e pedagogë, i kujtojnë përmes fjalës dhe këngës.

 “Kjo është ADN-ja jonë, këto janë vlerat e kombit tonë! Unë e quaj, një etalon të mirë, ku brezi i ri sidomos interpretuesit mund të mbështeten”, thotë tenori Kastriot Tusha.

Të tre të lindur e të formuar jashtë vendit, ndezën në Shqipërinë e viteve 1930-1940, një dritë shprese për këngët e traditës. Në bllokun e Tefta Tashkos, këngët popullore të çdo qyteti shtoheshin dita-ditës, ndërsa me sëmundjen që i prekte pikërisht kordat e zërit, bashkëshorti Kristaq Koço, do ta kishte të vështirë të zgjeronte repertorin. E megjithatë, aq sa interpretoi do të tërhiqte vëmendjen e shtypit vendas e të huaj. Ishin të dy vetëm 37 vjeç, kur u ndanë nga jeta. Kristaqi do ta kishte të vështirë të vijonte pa Teftën, e rrugët në botën e përtejme do t’i bashkonin shpejt. Por, si mbijetoi veprimtaria e tyre dhe e Antoniut në diktaturë dhe a pati shtrembërim të saj?

“Arti gjithmonë ka mbizotëruar mbi politikën, mbi periudhat”, shton Tusha.

Interpretonte në Milano, Paris, Zagreb edhe me veshje popullore shqiptare. Tefta Tashko ishte “ylli” i muzikës klasike që së bashku me bashkëshortin, mbronin tabanin muzikor me sqimë. Kristaq Antoniu që e nisi karrierën si pionier i kinemasë rumune, po ashtu e bëri qëllim të tijin të dëshmonte këngët e traditës. E, sot brezit të ri i duhet vetëm të çojë më tej këtë mision artistik.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?