Bota

Talebanët u ndalojnë vajzave rikthimin në shkollat e mesme

18 Shtator 2021, 13:28| Përditesimi: 18 Shtator 2021, 14:57

  • Share

Talebanët kanë përjashtuar vajzat nga shkollat ​​e mesme afgane, pasi ata urdhëruan që vetëm djemtë dhe mësuesit meshkuj të ktheheshin në klasë.

Një deklaratë nga grupi islamik që thotë se klasat e mesme do të rifillonin nuk përmendte vajzat apo gratë. Grupi i linjës së ashpër islamike ka rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi muajin e kaluar, duke u zotuar për ton më të butë, për dallim nga vitet 1990, kur grave u është ndaluar edukimi dhe puna.

Pavarësisht premtimeve të talebanëve, kjo është shenja e fundit që Afganistani po kthehet në sundimin e ashpër të viteve 1990.

Në urdhrin e bërë publik nga Ministria e Edukimit nuk thuhet asgjë për kthimin e grave.

“Të gjithë mësuesit burra dhe nxënësit duhet të marrin pjesë në institucionet edukative”, është thënë në deklaratë, para se të niste mësimi të shtunën.

Shkollat e mesme, me nxënës të moshave nga 13 deri në 18-vjeçare, zakonisht ndahen në baza gjinore në Afganistan. Gjatë pandemisë ato janë mbyllur vazhdimisht, mirëpo mbyllja më e madhe është vërejtur prej ardhjes së talebanëve në pushtet.

Prej ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Afganistan më 2001, është raportuar për përparim të konsiderueshëm në edukimin e vajzave. Shkollat fillore tashmë janë hapur me klasa të ndara të djemve dhe vajzave dhe në disa shkolla janë kthyer në punë edhe mësueset gra.

Regjimi i ri ua ka ndaluar grave shkuarjen në universitete private, si dhe u ka caktuar rregull të ri për veshje dhe lëvizje.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?