Bota

Talebanët zgjerojnë kabinetin afgan, sërish pa gra

21 Shtator 2021, 15:18| Përditesimi: 21 Shtator 2021, 15:19

  • Share

Qeveria e udhëhequr nga talebanët, ka zgjeruar kabinetin fillestar, duke prezantuar një listë me zëvendësministra burra, pavarësisht kritikave ndërkombëtare se veprimet e grupit islamik të linjës së ashpër, nuk kanë përmbushur premtimet për përfshirje të grave në qeverisje.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, e ka prezantuar të martën listën e zëvendësministrave, duke thënë se aty përfshihen edhe minoritete etnike.

Mujahid, ka deklaruar se gratë mund të shtohen në të ardhmen, mirëpo kjo deklaratë nuk ka ulur shqetësimet në rritje ndaj qeverisë së instaluar nga talebanët dhe kthimit të regjimit të ashpër sikurse në periudhën 1996-2001.

Talebanët kanë tentuar ta luftojnë atë imazh me premtime për politika më të moderuara sa u përket të drejtave të grave, mirëpo formimi i një qeverie me burra dhe veteranë, nuk ka qenë në linjë me zotimin.

Kabineti i talebanëve ua ka pamundësuar vajzave që të kthehen në shkolla të mesme dhe Mujahid ka thënë se ky është vendim i përkohshëm dhe se ata janë “duke finalizuar gjërat”.

“Shpejt do të njoftohet se ata mund të shkojnë në shkollë”, ka thënë mes tjerash ai.

Ndërkohë që djemtë në klasat gjashtë deri në 12 rifilluan studimet e tyre.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se do ta gjykojë grupin nga veprimet e tij, dhe se njohja e Qeverisë së udhëhequr nga talebanët, do të jetë e lidhur me çështje tjera, përfshirë trajtimin e grave dhe minoriteteve, edhe pse sipas Mujahidit, nuk ka arsye për vonim të njohjes.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?