Studentet afgane largohet nga Universiteti i Kabulit në Afganistan

Talebanët ndaluan shkollimin për gratë, disa organizata ndërkombëtare pezullojnë aktivitetin e tyre në Afganistan

25 Dhjetor 2022, 18:15| Përditesimi: 25 Dhjetor 2022, 18:29

  • Share

Tri organizata të mëdha jo-qeveritare (OJQ) kanë pezulluar punën e tyre në Afganistan pasi talibanët i ndaluan gratë që të punojnë për ato. Në një deklaratë të përbashkët, Care International, Këshilli Norvegjez i Refugjatëve (NRC) dhe Save the Children, thanë se nuk do të mund të vazhdonin punën e tyre "pa stafin tonë me gra".

Organizatat kërkojnë që gratë të vazhdojnë të punojnë për to. Talebanët që janë në pushtet në Afganistan po shtypin vazhdimisht të drejtat e grave.

Ky njoftim i organizatave vjen vetëm disa ditë pasi talebanët ndaluan gratë të studiojnë në universitete.

Talebanët njoftuan për ndalesën që gratë të ndjekin shkollimin në universitete më 20 dhjetor, përmes një letre që Ministria e Arsimit iu dërgoi institucioneve të arsimit të lartë. Ky vendim u dënua nga komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara.

Abdel Rahman Habib, zëdhënës i ministrisë së Ekonomisë të Talebanëve, pohoi se punonjëset gra në OJQ-të e huaja kanë shkelur kodet e veshjes - duke refuzuar të veshin hixhabin.

Ata kanë kërcënuar se së shpejti do t'i heqin licencën çdo organizate që nuk i përmbahet këtyre rregullave.

Gratë në Afganistan kanë organizuar protesta duke kërkuar të drejta për arsim, punë dhe liri, por këto protesta talebanët vazhdimisht i kanë shtypur duke i rrahur pjesëmarrësit, duke i kërcënuar, por edhe duke i arrestuar protestuesit.

Talebanët rifituan kontrollin e Afganistanit në vitin 2021, dy dekada pasi një koalicion ushtarak i udhëhequr nga SHBA-ja i rrëzoi ata nga pushteti./REL

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?