Takimi Bushati-Kotzias, Shqipëria e
Greqia pranë marrëveshjes historike?

10 Nëntor 2017, 22:57| Përditesimi:

  • Share
Shqipëria dhe Greqia janë pranë një marrëveshjeje historike. Takimi i parë në Kretë mes ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mbartura prej dekadash me dy vendeve, ka përfunduar pas 12 orësh.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se në ditën e parë të negociatave intensive, fokusi ka qenë marrëveshja e detit, ligji i luftës, çështja Çame apo dhe minoriteti grek në Shqipëri. Të njëjtat burime saktësojnë se palët kanë pasur në tavolinë 300 faqe material nga arkivi historik i MPJ dhe i arkivit të shtetit pjesë e dosjes shqiptare, harta të të gjitha natyrave dhe shkallëve dhe një ekspertizë shteruese në tavolinë, sa i takon përcaktimeve për kufirin detar. Për herë të parë Tirana dhe Athina po diskutojnë në detaje për çdo pikë që ka ndarë palët ndër vite dhe ka mbajtur larg dialogun. Takimi mes dy ministrave do vijojë nesër në ditën e dytë, kur pritet të ketë edhe një komunikim zyrtar nga Bushati dhe Kotzias për çfarë është rënë dakord mes dy vendeve.

Agjenda

Burime nga ky takim i thanë Shqiptarja.com dhe Report TV se axhenda e bisedimeve ka qenë e paracaktuar paraprakisht. Temat kryesore të bisedimeve dypalëshe greko shqiptare do të jenë: Rishikimi i Marrëveshjes së Kufirit Detar e 2009, Ligji i Luftës, situata e minoritetit grek në Shqipëri e sidomos çështja e dhënieve të titujve të pronësisë, varrezat e ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, ecuria europiane e Shqipërisë. Çështja Çame është një pikë tjetër e rëndësishme e axhendës së bisedimeve midis Bushatit e Kotsias. Edhe pse zyrtarisht pala greke e mohon diçka të tillë, kjo çështje është future në axhendë pas këmbënguljes së palës shqiptare. Gjithashtu nga pala greke është future në bisedime edhe rishikimi i teksteve shkollore të librave të historisë e gjeografisë. Dy delegacionet janë akomoduar në një hotel në zonën lindore të qytetit Iraklio të Kretës, ku do të zhvillohen bisedimet

Mosmarrëveshjet e vjetra

Çështjet që po bisedohen në takimin e Kretës midis dy ministrave të jashtëm janë të mbartura prej dekadash midis Shqipërisë e Greqisë. Ligji i Luftës, që qëndron ende në fuqi që nga koha e Luftës së Dytë Botërore është pikënisja e zgjidhjes së disa problemeve të tjera. Kur Italia i shpalli luftë Greqisë në 1941, e bëri edhe në emër të Shqipërisë që ishte pjesë e Perandorisë Italiane. Duke qenë se pas përfundimit të luftës Greqia kishte pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, të famshim Epiri i Veriut, sipas grekëve, ligji i luftës nuk është abroguar nga mbreti që ishte në atë kohë në fuqi. Po kështu edhe pas viteve ’90 ky ligj, edhe pse nuk u njoh më nga qeveria greke, zyrtarisht mbeti në fuqi, pasi nuk kaloi nga Parlamenti, si i vetmi institucion që mund të rrëzonte një ligj të dekretuar më parë nga Mbreti.

Në fakt kjo është bërë jo pa qëllim nga pala greke, pasi ka lidhje direkte me çështjen Çame. Popullsia shqiptare e Çamërisë u dëbua me pretendimin se ishte bashkëpunëtore e italianëve dhe gjermanëve. Ky dënim kolektiv mbetet në fuqi vetëm se zyrtarisht Shqipëria e Greqia figurojnë në gjendje lufte. Sapo ky ligj të rrëzohet, atëhere automatikisht çamëve iu lind e drejta që të kthenen në pronat e tyre si shteas grek që ishin, ose në rast të kundërt të dëmshpërblehen nga shteti helen. Këto dy pike janë thelbësore për Shqipërinë në bisedimet me Greqinë. Po kështu ka edhe probleme që i përkasin kohës së vonë, si ato të heqjes së vulave apostile nga dokumentat që u duhen emigrantëve shqiptarë apo të lëvizjes pa probleme nëpër pikat kufitare me Greqinë të shtetasve shqiptarë.

Nga ana e saj pala greke prej dekadash kërkon më shumë të drejta për minoritetin grek në vendin tonë e sidomos kërkon që Himara të njihet si zonë minoritare. Kësaj çështje i shtohet edhe ajo e kohëve të fundit të paisjes me dokumenta pronësie të himariotëve dhe të problemit me prishjen e banesave. Një tjetër problem i vjetër është ai i varrezave të ushtarëve grekë të rënë në vendin tonë gjatë luftës italo-greke. Gjithashtu pala greke ka ngritur prej kohësh si problem rishikimin e teksteve shkollore të historisë e gjeografisë. Grekët i cilësojnë si irredentiste dhe shtrembërim të realitetit ato pjesë të historisë së popullit shqiptar ku thuhet se ne si komb jemi shtrirë deri në Artë, Prevezë e Janinë.

Marrëveshja e detit është një pikë e përbashkët e të dy palëve. Greqia fillimisht kërkonte që të njihej ajo e bërë në 2009 me Sali Berishën e që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, pasi ishte favorizuese për të. Por qeveria Rama në këtë pikë nuk ka lëshuar asnjëherë pe, duke kërkuar një rishikim të saj me kushte më favorizuese për vendin tonë.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?