Të dalë ku të dalë, se kemi
Paskal

11 Tetor 2012, 15:23| Përditesimi:

  • Share
Një skulpturë e bukur nuk është e thënë se çliron vlerat që bart në vetvete në çdo ambient ose siç rëndon thuhet- rri bukur kudo. U deshën 25 burra që të jepnin mend se ku do të vendosej Davidi i Mikelanxhelos dhe njëri prej tyre qe Leonardo da Vinci.

Asokohe Mikelanxhelo qe gjallë dhe pavarësisht nga mendimet e dhëna ai vendosi vet për veprën e tij. Davidi nuk u bë as me konkurs, as me një vend të paracaktuar, nuk u bë as me porosi dhe as me detyrim. Ai u konceptua, ideua e realizua duke parë mermerin e lënë nga dikush tjetër, për të bërë një gjë tjetër nga ajo që artisti i madh modelojë.

Kjo ka ndodhur 500 vjet më parë.
Ç’na mëson kjo histori? Shumë, pasi veprimtari të tilla nuk duhet të konceptohen mbi parime ekzekucioni apo vendimmarrje, siç thuhet rëndom dhe siç rëndom operohet në fushën e politikës, e cila delegon problematikën tek institucionet dhe njerëzit që ajo ka për zemër në mënyrë që kësisoj të bëj detyrën si me historinë ashtu edhe me financat brenda mandatit. Fusha e artit ka një infrastrukturë të vetën, të ndryshme nga ajo e rrugëve. Infrastruktura e asfaltit nuk është si ajo e bronzit. Bronzi është derdhur lumë edhe kur nuk ka pasur rrugë.
Unë mendoj se pas 500 vjetësh, për precizion, duhet të kuptojmë sa vijon:

Davidi nuk është Dauti se kështu e dimë ne nga institucionet tona.
Da Vinci nuk është drejtor i GdU-së(Galleria degli Uffizi) që duhet të merret ene me konkurset e monumenteve të Firences.
Mikelanxhelo nuk është Paskali, që për fatin e keq të tij (dhe tonin), gjysma e jetës krijuese e biologjike i shkoi duke u përballur në heshtje me supermenët e rinj, dekan e jo dekan të soc-realizmit dhe të soc-tranzicionit.
Konkurset nuk janë konkusaritë se kështu e dimë ne nga institucionet tona, të cilat mesa duket janë po ato që diktonin në vitin 81 të shekullit të kaluar kur është modeluar statuja e I. Qemalit , ideuar, konceptuar e destinuar për një ambjent të caktuar, me distanca të caktuara dhe me sfond të modeluar dydimansionalisht në funksion të figurës në bronz.
Vendi nuk është te kuvendi ashtu sikundër triptiku në beton me pushkë, kazma, lopata, pemë, drapërinj, llulla, llapa, krah shqiponje e yll në Selinë e kryeministrisë. Këto do të ketë përballë Skënderbeu i dytë shqiptar?! Natyrisht syri në bronz nuk sheh pasi jemi ne që e shohim këtë sy, është psikika e syrit tonë ,e të gjallëve, që vepron ndaj të ngjashmit në bronz. Këtë na e ka mësuar Aristoteli shumë kohë më parë.
Natyrisht Paskali nuk është gjallë dhe s’ka se si të na thotë gjë, por në kondicione imagjinare mund të thuhet se do ta kundërshtonte minimalisht vendosjen në një kënd udhëkryqi pasi supozoj se nuk do ta donte skulpturën e tij të vendosur si roje blloku me bllok në dorë. Mund ta ribënte më elegant, në mënyrë që të krijonte jo vetëm figurën historike, fotografike, biologjike apo fizike, por atë artistike, simbolike, metafizike domethënë përtej të dukshmes, ashtu siç ka vepruar edhe me Skënderbeun kur ka qenë i lirë para luftës së dytë botërore dhe luftës së parë shqiptare. Natyrisht që ne kemi një statujë tashmë të kryer ashtu sic edhe e kërkonte një sallë muzeu e për më tepër plazmuar në epokën e metodës dogmatike të kohës.

Edhe kjo skulpturë nuk i ka shpëtuar së ashtuquajturës eufori heroistike apo patetizmit dhe librave nëpër duar, situata apo simbolika që organizatorët e konkursit apo kadilerët e tranzicionit i patën kontestuar pasi i panë me bollëk në projektet e paraqitura të bëra enkas për monumentin. Këto abuzivizma terminollogjike kanë jetë vetëm 24 orë, sepse të marrim për shembull patetizmin apo librin ato i gjejmë tek Moisiu,Sibilat, statuja poetësh e shtetarësh e profet të tjerë në skulptura e piktura.

Ka ardhur koha që për vepra të mëdha , histori të mëdha e personalitete të mëdha mos të veprohet me teorinë e pragmatizmit postmodern duke krijuar kriza artificiale në konfornt me situatën reale të mjeshtërve shqiptarë të skulpturës. Shqipëria ka para dhe skulptorë, po jo nga ata një shqiptar e gjysmë apo një gjerman e gjysmë, të propaganduar me zell në media si me qenë tamam në vitin 1912, në kohën kur kjo fjalë thuhej tamam për gjendjen e asaj kohe. Tamam pas 99 vjetësh Shqipëria ka më shumë se 99 skulptorë, jo 99 gurskalitës si ata të epokës së tamamit. Fatkeqësisht këta të 99 të shtetit apo 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare detyrohen që për bukën e gojës të pranojnë ofeza nga nomenklatura e institucionalistëve anadollak të shkolluar në Oksident, e kësisoj të pranojnë e mbyllin gojët duke skalitur oxhaqe për vilat që po i bëjnë tamam si në epokën e çifligjeve, natyrisht me një ndryshim nga çifligarët e tokave, këta regjimsa janë bërë pronarë njerëzish dhe veprash me trajta njerëzish. Kostoja e një oxhaku për kulturë që realizohet ne vilën e një supermen-biznesmeni ndoshta ja kalon edhe një statuje në bronz dhe ne presim që personalitetet e oxhaqeve dhe dyerve të mëdha të kombit të realizohen nga këta oxhakllarë të rinj të cilëve nuk u lejohej as oxhak me balt, kashtë e bajga në tokën e shqiptarëve. Kotë e kemi që polemizojmë me erën. Sot më 2012 jemi si më 1981 duke folur për një vepër që është kryer në një kohë dhe një metode artistike të refuzuar tashmë.

Të paktën kadilerët të mos na bëjnë karshillëk me metodën e demagogjisë e të na dalin në televizor si pedagogët e hipokrizisë. Sa i përket Paskalit më duhet të them se ky mjeshtër i skulpturës, i pari pas një heshtje të madhe shekullore nuk duhet të denatyrohet për së dyti. Ai duhet ruajtur nga brezat për çdo gjë që ka bërë, siç i ka bërë dhe ku ka rënë dakord t’i vendos skulpturat e veta. Ky nuk është historicizëm, por respekt për historinë e vendit, veprës së artit dhe autorit. Në qoftë se do të qe vepruar me metoda të tilla” -të dalë ku të dalë se kemi Paskal -“veprat e artit do të lëviznin nga vendet e origjinës sipas fushatave elektorale apo edhe tekave e qejfeve individuale te politikanëve, edhe për Davidin do bëhej nami që me vendim të posaçëm të një komisioni, ai më mirë do të qe prapa galerisë Uffizi kandidat për gëlqere.

Davidin për ta ruajtur e futën brenda dhe atje ku qe jashtë në shi bënë një kopje tjetër pasi Fiorentinët nuk bëjnë dot pa të.
Si përfundim Ismail Qemalit duhet t’i bëhet monumenti në Tiranë, e jo sa për të kaluar radhën të gërmohet se mos gjendet ndonjë efige (portret me ngjashmëri fizike).

(Shënim-red: Autori i shkrimit është një ndër skulptorët më të talentuar në Shqipëri)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?